Kristiano Ronaldo duhet të përballet sërish me ligjin, pasi policia e Las Vegas rihapi hetimet në lidhje me sulmuesin portugez nën akuzë për përdhunim.

Ngjarja e dyshuar vjen nga vitit 2009, kur CR7 po bënte lëvizjen e parë të madhe nga Mançester Junajtid te Reali i Madridit.

Në atë periudhë ai ndodhej në Las Vegas ku është njohur me Ketrin Majorga, atëherë 24 vjeç.

Takimi mes tyre është përjetësuar me foto gjatë një mbrëmje në një prej lokaleve më të famshëm të natës në “qytetin e mëkatit”.

Pikërisht pas këtij takimi, Majorga akuzon Kristiano Ronaldon se e ka përdhunuar.

Ajo e zbuloi këtë pretendim vetëm një javë më parë në një intervistë për gjermen “Der Spigel”, duke thënë se për të heshtur është paguar 375 mijë euro nga sulmuesi portugez.

Pas këtyre fakteve të reja, policia e kontesë Klark në Nevada ka rihapur hetimet.

Sipas saj, në datën e pretenduar nga Ketrin Majorga nëntë vite më parë, policia ka marrë një telefonatë nga ky person, por kur ka shkuar në vendgjarje ajo nuk ka dhënë detaje dhe as informacion mbi agresorin e saj.

Në lidhje me këto akuza ka reaguar edhe vetë Kristiano Ronaldo. Me anë të një video në Instagram, portugezi i ka cilësuar ato si “Fake News”. “Është normale që njerëzit duan të bëhen të famshëm me emrin tim. Gjithçka shkon mirë”, ka bërë të ditur Kristiano Ronaldo, I cili nuk është hera e parë që përballet me të tilla akuza.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb