TIRANË

Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur dhe akuzave të opozitës për situatën e krijuar në vend nga reshjet dhe përmbytjet. Në mbledhjen e komitetit ndërministror të Emergjencave Civile, Rama tha se vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula, duke i justifikuar akuzat me dëshpërimin.

Gjithsesi, tha ai puna vazhdon, duke lënë porositë përkatëse për ministrat dhe institucionet e varësisë.

“Akuzave politike nuk kemi çfarë i bëjmë. Edhe COVID-it iu gjet vaksina e imunizimit të cilën shpresoj që ta fillojmë ta injektojmë në vëmendjen tonë dhe nisur nga mjekët dhe infermierët para afatit që kemi deklaruar, ndërsa vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula kështu që për shkak të dëshpërimit ata për fat të keq kapen pas çdo mundësie iluzore dhe natyrisht dhe çdo fatkeqësie natyrore për të bërë politikë. Ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë duke bërë më të mirën siç të gjithë në këtë moment të vështirë po bëjnë dhe po bëjnë më të mirën. Ne kemi një protokoll standard për emergjencat civile. Kemi protokolle standarde për nivelet e gatishmërisë, për ngritjen e strukturave në territor dhe përshkallëzimin e emergjencës në territor. Situata nuk ka se si të jetë e pëlqyeshme në ato zona ku reshjet kanë qenë intensive. Falë punës së bërë me infrastrukturën e kullimit, me rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, falë punës së bërë me administrimin e kaskadës dhe me radhë sot me këtë sasi reshjesh kemi një gjendje shumë më të pranueshme dhe absolutisht nën kontroll krahasuar me çfarë do kishte ndodhur si ato vite shumë të largëta ku bëhej hataja. të vazhdojmë intensivisht këtë punë, secili e di pozicionin e vet në përballje me natyrën. U theksua nga zv.kryeministri që niveli i gatishmërisë me përjashtim me Shkodrën që qëndron si hudhër për të mos u marr mësysh gjithë Shqipëria ka ardhur duke u përmirësuar. Nga pikëpamja e jetëve njerëzore s’ka asnjë dëm, nga pikëpamja e banesave, dëmet janë minimale, nga pikëpamja e lëvizjshmërisë kur lëvizshmëria ka qenë e penguar ka pasur ndërhyrje të menjëhershme”, deklaroi Rama.

Ai tha se nga informacionet që kemi do kemi një moment frymëmarrje të rëndësishme nga momenti që po kalon. “Po në këtë pauzë do të lehtësohet rëndesa e krijuar nga grumbullimet e ujit dhe do na krijohet mundësia për të pasur kapacitet përballimi. Megjithatë gatishmëria duhet të jetë maksimale. Nesër nëse do jetë e nevojshme dhe nëse brenda standardeve të kësaj situate parametrat do të na detyrojnë të bëjmë një mbledhje tjetër të këtij komiteti do ta bëjmë patjetër, nëse nuk do jetë e nevojshme do vazhdojmë të ndjekim situatën sipas planit”, theksoi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb