SHBA– Një komitet i udhëhequr nga republikanët në Shtetet e Bashkuara miratoi të emëruarin e presidentit Donald Trump për gjykatës të Gjykatës Supreme, por senatori republikan, Jeff Flake, kërkoi hetime nga FBI-ja të akuzave për sjellje të keqe seksuale ndaj gjykatësit Brett Kavanaugh, përpara votimit përfundimtar në Senat.

Ndërhyrja e Flake – nëse me të pajtohen udhëheqësit republikanë të Senatit – do të thotë se votimi final në Senat mund të shtyhet për një javë, për t’iu dhënë kohë hetimeve të FBI-së.

Demokratët kanë kërkuar hetime nga FBI, por republikanët i kanë kundërshtuar ato.

Komiteti Gjyqësor u mblodh një ditë pasi Christine Blasey Ford, e cila e akuzon Kavanaugh për sulm seksual ndaj saj në vitin 1982, dëshmoi para Komitetit.

Kavanaugh, i cili po ashtu dëshmoi pas saj, i mohoi akuzat.

Nuk është ende e qartë nëse do të zhvillohen hetimet.

Zyra e kryetarit të shumicës së Senatit, Mitch McConnell, nuk ka komentuar ende.

Posti i gjykatësit të Supremes në SHBA është i përjetshëm.

Kjo gjykatë është shpesh fjala e fundit për ligjet e diskutueshme dhe nëntë gjyqtarët e saj kanë një ndikim të madh në jetën politike amerikane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb