TIRANE- Ish-presidenti Alfred Moisiu ka komentuar akuzat e opozitës ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dhe ministrit aktual Fatmir Xhafaj. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Moisiu tha se për këto çështje duhet të flasin organet e drejtësisë.

“Politika duhet të heshtë kur flet gjyqësori, dhe nga ana tjetër gjyqësori duhet t’i mbyllë derën politikës. Sa i takon reformës në gjyqësor do të thoja se është një nga reformat më të mira”, u shpreh ish-presidenti Alfred Moisiu.

Teksa ka komentuar konfliktualitetin politik në vendin tonë, ish-Presidenti thotë se një klimë e tillë nuk përcjell mesazhe pozitive në vendet e BE.

“Është për të ardhur shumë keq me situatën në Parlamentin shqiptar. Aty duhet të trajtohen problemet dhe të merren vendime sa më të drejta. Kuvendet nuk bëheshin kështu në Shqipëri, por kuvendet bëheshin duke pasur respekt për njëri-tjetrin. Ndërsa tani çfarë nuk dëgjohet, fjala e parë thuhet e fundit. Më parë politikanët përpiqeshin si të krijonin pasuri, tani përpiqen si ta mbrojnë pasurinë që kanë vënë.
Unë mendoj se kjo klasë politike që ka gjynahet e saj, jo se s’ka dhe të mira, por nëse vë një balancë, ajo anon nga gjërat jo të mira”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: