TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur për të dëshmuar deputetin e PD, Ervin Salianji, pas akuzave për vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj.

Lajmi për thirrjen e deputetit të PD konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ‘BalkanWeb’. Deputeti thirret për t’u paraqitur nesër në orën 09:30 të paradites. Fletëthirrja e Prokurorisë është firmosur nga prokurorët Gentian Osmani dhe Përparim Kulluri.

Thirrja e ligjvënësit demokrat në Prokurori vjen menjëherë pas mbërritjes së përgjigjes së ekspertizës nga Britania e Madhe për çështjen e bisedës që pretendohet se është zhvilluar mes Agron Xhafes dhe Albert Veliut i njohur si dëshmitari X ose ‘Babalja’.

Kujtojmë se pasi PD publikoi audio-përgjimin, dha dëshminë e dëshmitarit X Albert Veliu, që pranonte se kishte qenë pjesë e grupit të trafikut të drogës me Agron Xhafën dhe së fundmi është ndihmuar nga ai për të siguruar një sasi kanabisi që do ta trafikonte.

Pas publikimit të audio-përgjimit ku dëshmitari X ose Albert Veliu fliste me një person të cilit i kërkonte ta ndihmonte me drogë dhe që supozohet prej tij se është Agron Xhafaj. Ky i fundit në përgjim e dërgonte tek një tjetër person për të marrë drogën, me justifikimin se po sulmohej vetë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb