TIRANË- Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike të artikuluara sot nga deputetja Orjola Pampuri.
Spiropali i përgjigjet akuzave për pasurinë me një status në “Facebook” ku e quan Pampurin shërbëtore dhe i bën thirrje të mos ‘recitojë’ më pasi do ta hedhë në gjyq.
Deputetja socialiste i drejtohet koleges demokrate duke i thënë se “është përdorur si maskë për fytyrën e Kunatit”.
“Kunati po, ai ka shumë milionë dhe janë ato miliona për të cilat Shqipëria ka të drejtë të dijë si janë bërë (makina nuk e di sa ka, po kjo s’ka rëndësi përderisa tek Shqupi nuk parkohesh dot pa lejen e Kunatit)”, shkruan ndër të tjera deputetja socialiste Elisa Spiropali.
STATUSI I PLOTË
E dashur Orjola,
Ajo që lexove sot më trishtoi për ty dhe pyeta veten pse e bëre? Unë kurrë s’do kisha dalë të recitoja shpifje, të shkruara nga të tjerët për më tepër. As sikur të më vinin revolen në kokë (prej vërteti jo si revolja imagjinare e Taulantit mbi xhamat e syve te Palokës :-). E pyete veten pse ta besuan ty atë recitim vulgar?
Unë nuk e di a ta besuan sepse je grua që të shohin si shërbëtore, apo sepse të duan si recituese që të shesin për profesore (?)! Po në të dyja rastet, në vendin tënd do mendohesha pas kësaj që të bënë. Është e rëndë Orjola, më beso, të dua vetëm të mirën dhe nuk dua të të shoh në rolin e shërbëtores me titullin e profesores!
Tani më dëgjo pak: Unë 5 milionë euro, makinë 100 mijë euro dhe të tjera broçkulla që lexove, kam vetëm në fantazinë e tmerruar të atyre që ty sot të përdorën si maskë për fytyrën e Kunatit! Kunati po, ai ka shumë milionë dhe janë ato miliona për të cilat Shqipëria ka të drejtë të dijë si janë bërë (makina nuk e di sa ka, po kjo s’ka rëndësi përderisa tek Shqupi nuk parkohesh dot pa lejen e Kunatit). Se ku punon bashkëshorti yt nuk e di, di vetëm që i imi nuk do ulej me mua sonte në tavolinë nëse do kisha recituar kundër teje siç recitove ti kundër meje dhe kolegëve të mi!
Nuk të uroj të flesh e qetë sot Orjola, për të mirën tënde! Po në të gjitha rastet një gjë mos e harro: Ti e përsërit këtë vetëpërdorimin e sotëm dhe unë të thërras në gjyq! E unë s’jam ti, nuk kam asnjë kunat që më nxjerrë të bëj çingijen mbi rrotën e karrocës së Dulit dhe s’ka kunat që më prapëson kur e ndaj mendjen. Prandaj zemra, nëse s’do të dalësh para gjykatësve e të pranosh se je thjesht një shërbëtore e Kunatit, shtyje rrotën tutje e mos ndalo më para meje.
(m.k/BalkanWeb)