TIRANE – Gjykatësi i Kavajës, Osman Aliu, fiton përballjen e parë me drejtësinë. Gjykata e Tiranës vendosi dje të pushojë çështjen penale ndaj gjykatësit Aliu, ndaj të cilit rëndonte akuza e “deklarimit të rremë të pasurisë”. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e gjykatësit me 1 milion lekë të reja gjobë, por gjykata pasi shqyrtoi dosjen penale, doli në përfundimin se nuk ekzistojnë elementët e veprës penale. Ndaj për këtë arsye u vendos pushimi i çështjes penale.
Hetimet për gjykatësin Aliu nisën mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Prokuroria deklaroi se do të apelojë vendimin, pasi këmbëngul se ka prova për fajësinë e të pandehurit Aliu dhe duhet të ishin vlerësuar nga gjykata.

Dosja e prokurorisë
Hetimet e nisura mbi bazën e kallëzimit të bërë nga ILDKP-ja nxorën në dritë faktin se në deklaratën periodike vjetore të vitit 2008, subjekti deklarues, gjykatësi i Kavajës Osman Aliu, kishte të pajustifikuar një shumë prej 545 634 lekësh, midis të ardhurave dhe
aseteve neto. “Nga verifikimi i dokumentacionit, lëshuar nga institucionet bankare, rezulton se subjekti deklarues nuk ka deklaruar gjendjet e llogarive bankare pranë bankës xxxxx që nga viti 2005 e në vazhdim. Likuiditeti kesh në fund të vitit 2013 rezulton të jetë në vlerën 3.130.000 lekë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Ndërkaq, me 17.01.2009 mes gjykatësit Aliu në cilësinë e huamarrësit dhe shtetasit K.K. është nënshkruar një kontratë huamarrjeje, e cila nuk është deklaruar sipas ligjit nga subjekti. Nga verifikimet ka rezultuar gjithashtu se sipas një dokumenti zyrtar të lëshuar nga kompania financiare ‘XXXXX’, vërtetohet se gjatë periudhës kohore 2009-2013, gjykatësi Osman Aliu ka dërguar jashtë territorit të Shqipërisë shumën prej 10.200 eurosh. Gjithashtu, edhe këto veprime ai nuk i ka deklaruar.

Transfertat bankare
Lidhur me transfertat e kryera nga subjekti Osman Aliu, me procesverbalin e datës 23.02.2015, pranë kësaj kompanie financiare është sekuestruar dokumentacioni për 41 transferta. Nga dokumentacioni i sekuestruar konstatohet se transferta e parë është kryer më datë 28.03.2009 dhe ajo e fundit më datë 17.12.2013. Pikat nga janë nisur këto transferta rezultojnë të jenë degët e kësaj kompanie në Kavajë dhe Durrës. Dërguesi në të gjitha transfertat është shtetasi Osman Aliu, ndërsa pritës në transferta kanë qenë dy shtetas, të afërm të tij. Këto transferta nga subjekti deklarues nuk janë deklaruar në dekleratat periodike 2009-2013 të paraqitura prej tij në ILDKPKI.

Pagesa për apartamentin
Në kallëzimin e ILDKP-së, hetuar më pas nga prokuroria, rezulton se më datë 19.12.2014 konstatohet se shtetasi Osman Aliu, në cilësinë e palës porositëse, me datë 02.11.2007 ka lidhur kontratë sipërmarrjeje ndërtimi me subjektin ndërtues “D……CONSTRUKSION” sh.p.k, për një apartament me sipërfaqe 69 m2, të cilit pasi t’i zbritet sipërfaqja 37.5 m2, duhet t’i paguante shoqërisë ndërtuese sipërfaqen 31.5 m2 në vlerën e 15 750 eurve. Detyrimi për pagesën e kësaj shume është përcaktuar që të bëhet në tri këste nga shtetasi Osman Aliu, e konkretisht 3000 euro në momentin e lidhjes së kontratës, 5000 euro brenda datës 30.11.2008, ndërsa 7750 euro në momentin e lidhjes së kontratës së shitblerjes. Sipas përcaktimeve të kësaj kontrate, subjekti Osman Aliu sipas mandatarkëtimit të datës 15.11.2008 ka likuiduar detyrimin 5000 euro në favor të subjektit ndërtues “D…… CONSTRUKSION” sh.p.k. Kjo shumë i është marrë hua shtetasit K.K. nga subjekti Osman Aliu, bazuar në kontratën e huasë, datë 17.01.2009. Këto veprime nga subjekti deklarues nuk janë deklaruar në deklaratat periodike 2008-2013 të paraqitura prej tij në ILDKPKI.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: