Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për mashtrim, në një rast që përfshin shfrytëzimin financiar të dhjetë grave, ish-pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut.
Hetuesit e Sektorit të Hetimeve Financiare – DHKEK, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë kryer një bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, me inicialet R.D., i cili më pas është arrestuar.
Sipas njoftimit zyrtar, edhe dy persona të tjerë të dyshuar – me inicialet V.G. dhe A.H. – janë paraqitur vullnetarisht në zyrat e policisë më vonë.
Të tre personat dyshohen se në bashkëveprim kanë mashtruar viktimat duke u premtuar donacione në emër të integrimit në shoqërinë kosovare. Në realitet, gratë e mashtruara kanë nënshkruar kontrata për kredi nga një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, në vlerë prej 4,500 deri në 5,000 euro, duke menduar se po përfitonin ndihma financiare.
R.D. thuhet se ka identifikuar viktimat dhe i ka dërguar për aplikim, ndërsa V.G., si zyrtar në institucionin mikrofinanciar, ka përgatitur dosjet dhe kontratat. Kredia është miratuar nga i dyshuari i tretë, A.H., i cili vepronte në cilësinë e menaxherit të institucionit.
Pas disbursimit të kredive, R.D. ka shoqëruar viktimat në bankë për tërheqjen e parave, duke u dhënë atyre vetëm nga 500 euro secilës, ndërsa pjesa tjetër është marrë prej tij, kinse për “pagesa për zyrtarët”.
Mashtrimi është zbuluar kur institucioni mikrofinanciar ka filluar të kërkojë kthimin e kredive nga viktimat. Deri tani janë intervistuar dhjetë persona, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet në rreth 45,000 euro.
Me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dy nga të dyshuarit, R.D. dhe V.G., janë ndaluar për 48 orë, ndërsa A.H. është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt. Hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e prokurorit të rastit, thuhet në njoftimin e Policisë./Telegrafi
(BalkanWeb)