Autoritetet franceze po zbatojnë projekte për eliminimin e separatizmit të ashtuquajtur, i cili ka goditur komunitetin musliman në vend, ndërsa një shembull është rasti i imamit Farid Slim, i cili po gjykohet për postimin në mediat sociale se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan më i mirë e menaxhon krizën e shkaktuar nga COVID-19 sesa homologu i tij francez Emmanuel Macron.

Guvernatori i rajonit Chambery akuzoi imamin Slim “për poshtërim të Francës, përpjekje për të përmbysur qeverinë franceze dhe përhapje të terrorizmit”, ndërsa i akuzuari Slim u paraqit dje në seancën gjyqësore në Paris.

Gjykata dëgjoi të dy palët dhe njoftoi deklaratën e saj mbi padinë në seancën tjetër, e cila u caktua për më 31 mars.

Prokurori publik francez mori pjesë në seancë dhe i kërkoi gjykatës të anulonte vendimet për bastisjen e shtëpisë së imamit, sepse e konsideron atë ligjërisht të pabazë.

Slim: Unë luftoj për të mbrojtur rininë nga elementët radikalë

Pas përfundimit të seancës, imami i akuzuar  tha se policia hyri në shtëpinë e tij një mëngjes rreth orës 6:00 dhe i tha atij se ishte akuzuar për propagandë terroriste.

Duke theksuar se ai ka punuar në Francë si imam për dy dekada, Slim tha se policia bastisi shtëpinë e tij dhe i tha se do të gjykohej sepse përbënte kërcënim për vendin.

“Për më shumë se dhjetë vjet unë kam ligjëruar rreth Islamit dhe punoj në këtë fushë. Veçanërisht po përpiqem të udhëzoj të rinjtë në Francë se si të mbrohen nga zakonet e këqija dhe elementët radikalë në shoqëri. Vazhdimisht i këshilloj të rinjtë të jenë tolerantë dhe të dobishëm në shoqëri”, tha Slim.

Policia mori telefonat dhe kompjuterët nga shtëpia e imamit gjatë bastisjes, kurse Slim theksoi se raporti thotë se nuk është gjetur asgjë që tregon lidhjen e tij me terrorizmin ose ndonjë vepër tjetër penale.

Gjykim për pikëpamjet e shprehura publikisht në cilësinë e qytetarit

Duke theksuar se nuk u gjet asnjë provë gjatë hetimit sepse ai nuk kreu ndonjë vepër penale, Slim konsideron se u akuzua vetëm sepse ai deklaroi publikisht pikëpamjet e tij në cilësinë e qytetarit.

“Ku është tani ajo liri e fjalës? Gjoja kam bërë diçka që nuk i përkon një shtetasi francez. Po gjykohem sepse kam kritikuar politikën e qeverisë franceze gjatë pandemisë dhe veçanërisht sepse kam shkruar në Facebook se presidenti turk Erdoğan po administron më mirë krizën sesa presidenti francez Macron. Kështu pretendohet se unë kam shkelur ligjin francez. Si qytetar, unë thjesht thashë se nuk isha i kënaqur me politikën e vendit gjatë pandemisë”, tha Slim.

Imami i akuzuar Slim ka gjashtë fëmijë, kurse gruaja e tij gjithashtu organizon ligjërata për Islamin.

“Kjo e gjitha është shumë tronditëse për fëmijët tanë të cilët janë rritur në frymën qytetare për lirinë e fjalës. Ata tani e kuptuan se policia bastisi shtëpinë e tyre sepse babai i tyre kishte shprehur mendimin e tij. Si mund t’ua shpjegojmë atyre tani?”, tha Slim, duke shtuar se është e vështirë edhe nxënësit e tij e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë përjetoi mësuesi i tyre që i mëson ata të respektojnë shtetin dhe vlerat shoqërore.

Avokati mbrojtës Seten Guez Guez theksoi se imami Slim gëzon respekt të madh nga komuniteti musliman në Francë dhe vendasit e rajonit Chambery. Ai i konsideron akuzat ndaj imamit si arbitrare dhe të pabaza.

“Akuzat e bëra ndaj të mbrojturit tim lindën nga fakti se ai shprehu qëndrimin dhe mendimin e tij në përputhje me të drejtat e të gjithë qytetarëve. E vetmja gjë për të cilën akuzohet janë postimet në Facebook”, tha Guez.

Duke theksuar se nuk është vërtetuar që imami Slim kishte kontakte me ndonjë element kriminal apo terrorist, avokati Guez tha se imami u akuzua vetëm për postimin e ligjëratave në Facebook dhe se pjesa më qesharake e akuzës kishte të bënte me krahasimin e presidentit të Turqisë dhe Francës.

“Për shkak të këtij krahasimi, ai u akuzua si përpjekje për përmbysje të qeverisë në Francë. Mund të jetë qesharake, por imagjinoni se çfarë do të thonin ata nëse situata do të ishte ndryshe dhe një ekip i policisë së antiterrorit do të hynte në shtëpinë e një prifti ortodoks që krahason Mocron-in me Erdoğan-in. Atëherë të gjithë do të ishim të tronditur”, tha Guez.

Avokati Guez pohon se imamët në Francë, si të gjithë qytetarët, kanë të drejtë të kritikojnë politikën e qeverisë në atë vend.

Guez më tej gjatë bisedës me gazetarin e AA-së parashtroi një pyetje retorike, nëse Franca mund të kthehet në një vend të diktaturës, duke shtuar se ai nuk dëshiron të mendojë një gjë të tillë dhe se është i inkurajuar që prokuroria ishte gjithashtu në anën e tij.

Guez tha se gjithashtu është ngritur një proces gjyqësor me kërkesë për t’i paguar palës së dëmtuar 10.000 euro kompensim për traumën që përjetoi familja.

Imami i akuzuar Slim në fillim të pandemisë tha se presidenti francez Macron nuk shpërndau falas maska ​​mbrojtëse për qytetarët siç bëri presidenti turk Erdoğan. Ai gjithashtu tha që qeveria franceze duhet të ndajë një buxhet për maska ​​ashtu siç ndan për furnizim me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe kritikoi retorikën raciste të mjekëve francezë të cilët thonin që afrikanët të shfrytëzohen për testim gjatë zhvillimit të vaksinave kundër koronavirusit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb