Sean “Diddy” Combs është urdhëruar të mbahet në qeli në çështjen e ngritur kundër tij për trafikim dhe dhunë seksuale, mes të tjerash. Gjykatësja Robyn Tarnofsky e mori vendimin të martën pasi dëgjoi argumente të gjata nga prokurorët dhe avokatët e të pandehurit Combs.

Sean “Diddy” Combs ishte në krye të një perandorie krimesh seksuale, duke abuzuar me gratë prej vitesh, duke i kërcënuar ato për t’i mbajtur nën kontroll dhe duke përdorur ndihmesat e tij për t’i mbuluar këto veprime, thuhet në një padi të bërë publike të martën.

Manjati i muzikës “u angazhua në mënyrë të përsëritur dhe të gjithanshme në abuzimin e grave dhe të individëve të tjerë”, duke përdorur ndër të tjera edhe dhunën seksuale, me qëllim “përmbushjen e dëshirave të tij seksuale, mbrojtjen e reputacionit të tij dhe fshehjen e shkeljeve”, thuhet në akuzë.

Ai thuhet t’i ketë detyruar gratë viktima dhe persona të tjerë të merrnin pjesë në aktivitete seksuale që zgjasnin ndonjëherë edhe gjatë një dite të tërë. Padia përmend edhe sulmin e tij ndaj ish-të dashurës, këngëtares së muzikës R&B, Cassie, që u filmua nga kamerat.

Zoti Combs u arrestua mbrëmjen e së hënës në Manhatan, rreth gjashtë muaj pasi autoritetet federale bënë një hetim për trafikim seksual, duke bastisur edhe rezidencat e tij luksoze në Los Anxhelos dhe Majami. Ai u paraqit pasditen e së martës në gjykatë, ku kishin mbërritur për të ndjekur procesin gjyqësor edhe tre djemtë e tij.

Prokurorët kërkuan mbajtjen e tij në burg deri në zhvillimin e gjyqit. Avokati i tij, Marc Agnifilo, tha përpara ndërtesës së gjykatës të martën se do të luftonte që ai të lihej në gjendje të lirë dhe se zoti Combs është i pafajshëm dhe se do të vetëdeklarohet i tillë. Zoti Combs deklaroi në gjykatë se ishte i pafajshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: