LIBRAZHD- Një specialist i krimeve në Komisariatin e Librazhdit është vënën në pranga ditën e sotme, pasi akuzohet për “korrupsion pasiv”. Strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në MPB, arrestuan punonjësin e policisë Nënkomisar Kol Zaja, 40 vjeç, me detyrë specialist për Krimet në Komisariatin e Librazhdit, në Drejtorinë e Policisë Vendore Elbasan.

Zaja akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për 40-vjeçarin.

Arrestimi është kryer pas një hetimi të përbashkët të SHÇBA-së në bashkëpunim me Task – Forcën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Në datë 28 gusht 2015 në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore Kol Zaja, ka administruar një kallëzim penal, depozituar nga një shtetase.

Punonjësi i policisë Zaja ka kryer shpalljen në kërkim policor të shtetasit M.B., i cili kur është njohur me faktin, u paraqit në Komisariatin e Policisë Librazhd.

Specialisti i Krimeve Kol Zaja i ka premtuar shtetasit të kallëzuar se do ta hiqte nga kërkimi policor, nuk do ta arrestonte dhe se do të ndërhynte në Prokurori për t’i mbyllur çështjen në ngarkim të tij, në këmbim të shumës prej 100.000 lekësh.

Sot në orën 15:45 minuta është kryer ekzekutimi i Urdhrit të Prokurorisë për zbatimin e vendimit penal.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: