TIRANE- Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e Gjykatës së Shkallës së Parë “arrest me burg” për Francesco Becchettin, pronar i “Agon Channel”, i cili akuzohet për “mashtrim” dhe “pastrim parash”.
Vendimi është marrë seancën e sotme, pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes, duke argumentuar lënien në fuqi të shkallës së parë për akuzat.

Gati një muaj e gjysmë pas lëshimit të urdhërsekuestros për kompanitë e biznesmenit italian, Francesco Becchetti dhe urdhër arrestit për të, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet në ngarkim të tij dhe 4 personave të tjerë të dyshuar në këtë dosje.

Sipas dosjes së Prokurorisë, mbi sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, pronar i “Agon Channel”, do të rëndojnë 3 akuza: ajo e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “krijimi i skemave mashtruese me qëllim përfitim të paligjshëm të parave” dhe akuza e “pastrimit të parave”.

Ndërkaq mbi ortakun e tij, Mauro De Renzi, Prokuroria ka ngritur akuzat e “pastrimit të parave”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “mospagim taksash”, si dhe për “kontrabandë me qëllim shmangien e detyrimit doganor”.

Akuza e “pastrimit të parave” është ngritur dhe për nënën e Becchettit, Liliana Condomittin, ndërsa mbi Stavri Peçin dhe Elona Troplinin rëndojnë akuzat e “falsifikimit të dokumenteve”.

Gjithçka ka nisur pas një hetimi të gjatë të policisë, dosja e të cilës më pas i është kaluar Prokurorisë, që në qershor ka sekuestruar – pas lejes së dhënë nga gjykata, – 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”; shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”; si dhe bllokoi llogaritë bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzi dhe Elona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro.

Grupi hetimor bën të ditur se ka provuar skemën, përmes së cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit. Sipas tyre, në qendër të kësaj skeme evazioni, por njëkohësisht edhe pastrimit të parave, qëndron hidrocentrali i Kalivaçit dhe dy shoqëri të zotëruara nga Becchetti, koncesionarja “KGE” dhe ajo “Energji”.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb