Bledar Selmanaj, autori i dyshuar për vrasjen e Xhuljano Bullarit, ka tentuar të vetëvritet në burg.

Sipas informacioneve të marra nga “BalkanWeb”, Selmanaj ka tentuar të vetëvritet në burgun e Peqinit, ku dhe ndodhet aktualisht.

Ndërkohë, bëhet me dije se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.

SI U ZBULUA VRASJA E XHULJANO BULLARIT:

Pas hetimeve nga ana e grupit hetimor, pasi u mor aparati celular i 25-vjeçarit, nga ku u nxorën edhe kontaktet, policia bëri një listë me miqtë e familjarët e viktimës. Menjëherë lindën dyshimet se vrasësi ishte i njohur me Bullarin dhe rezultoi se Bledar Selmanaj ishte pasagjer në automjetin e drejtuar nga 25-vjeçari, madje kishin udhëtuar bashkë.

Për motive të dobëta, 39-vjeçari e qëlloi në kokë të riun natën e 20 gushtit duke e lënë të vrarë brenda në makinë, ndërsa trupi i tij u gjet mëngjesin e 21 gushtit. Fill pas krimit, Selmanaj e groposi armën e vrasjes teksa kishte fshehur dhe veshjet që përdori ditën e atentatit.

Selmanaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Vite më parë ai ka qenë i akuzuar për disa vjedhje argjendarish e banesash në Tiranë. Duke kryer disa vjedhje seri ai është etiketuar edhe si hajduti ‘serial’ në kryeqytet. Policia thotë se Bullari dhe Selmanaj njiheshin me njëri-tjetrin dhe se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb