Gjykata ka caktuar sot masën ‘arrest me burg’ për Gjergj Cukalin, i cili akuzohet se është porositës i atentatit me eksploziv në Kamëz ndaj Gjon Menës.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodian Lala për ‘BalkanWeb’. Cukali, i njohur ndryshe edhe si “i forti” i rrugës “Myslym Shyri” akuzohet për ‘vrasje me paramendim mbetur në tentativë’ dhe ‘shkatërrim prone me eksploziv’.

Ndërkohë që dy personat e arrestuar, kushërinjtë Edmond dhe Enver Jakimi që akuzohen se kanë vendosur eksplozivin iu është komunikuar me herët masa e sigurisë. Gazetarja Lala deklaroi se Cukali është zbuluar nga njëri prej kushërinjve që është penduar. “Cukali më kërkoi t’i vija bombën Gjon Menes. Bomben na e solli vetë ai. Na premtoi 30 mijë euro dhe me dha vetëm dy mijë”, kështu pohoi nga salla e gjyqit Enver Jakimi.

Kujtojmë se dy kushërinjtë u arrestuan 2 ditë pas ngjarjes, por kjo gjë u mbajt sekret derisa të arrestohej Cukali.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: