Shtyhet sërish seanca për Arbër Cekajn, i cili akuzohet për trafikimin e 613 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit.

Seanca gjyqësore në ngarkim të Cekajt është shtyrë, për shkak se në sallë mungonte avokati i tij Maks Haxhia.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “Balkanweb” se avokati Haxhia nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion për të justifikuar mungesën në seancën e sotme.

Për këtë arsye, togat e zeza e kanë gjobituar Haxhiajn me 500 lekë.

Arbër Çekaj dyshohet si i përfshirë në trafikun e 613 kg kokainëve, sasi kjo e cila u kap në Maminas në fund të shkurtit të 2018. Droga ishte fshehur në kontenierin e bananeve, ku prorësitës ishte Çekaj. Nga hetimet e krimeve të Rënda rezultoi se 40-vjeçari ishte larguar nga Shqipëria 3 javë para se të sekuestrohej kokaina. Ai u shpall nga Policia e Shtetit në kërkim ndërkombëtar, dhe u prangos më vonë për t’u ekstraduar nga Gjermania.

Për sasinë rekord të kokainës, u arrestua Armando Pezaku, i cili ishte shoferi i kamionit që transportoi kontenierin ku ishte fshehur droga nga porti i Durrës drejt Maminasit. Ndërkohë në pranga përfundoi edhe Donaldo Lushaj.  Sipas Policisë së Shtetit, nëse 613 kg e kokainës do të hidhej në treg ajo do të kapte vlerën e 180 milionë eurove.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 21 vite burg për Arbër Çekajn.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb