Eduart Bukli prej një javë ndodhet në Spitalin e Traumës, pasi u gjet i dhunuar dhe pa ndjenja në kompaninë e tij. Biznesmeni, ortak në një kompani akulloresh, akuzon pikërisht partneren e tij në biznes Azeta Shijaku dhe familjen e saj për dhunimin dhe grabitjen e një shume të konsiderueshme parash.

Në një intervistë për gazetaren e “News24” dhe “BalkanWeb” Klodiana Lala, Bukli thotë se e kanë qëlluar pas shpine dhe i kanë marrë telefonin e çelësat.

“Nga dita e premte jam në Spitalin e Traumës. Më kanë rrahur, se kush më ka ra nuk i di arsyet. Më kanë rrahur në punë. Në orën 6 jam kthyer nga Shkodra më kanë rrahur në punë. Ndodhesha në magazinë, do hapnim kasafortën të fusnim ca lekë të xhiros. Një çelës e kisha unë një çelës e kishin ata dhe në atë kohë më ranë në kokë, nuk e di. S’kam gjetur as çelësa as telefon asgjë”, tha Bukli.

Ai akuzon gruan e ortakut të tij që ka humbur jetën në fund të vitit të kaluar për shkak të COVID-19, të cilin e kishte dhe kushëri duke ngritur dyshime tek familjarët e saj si autorë të ngjarjes. Bukli jep edhe motivet sipas tij, nga se mund të ketë ardhur kjo ngjarje.
“Dyshoj te gruaja e ortakut sepse ajo nuk donte ta bënte me letra ortakërinë tonë. Ajo quhet Azeta Shijaku, është në burg për këtë punë. Konflikti ka filluar kur vdiq ortaku im, vdiq nga COVID-i. Këta i donin të gjitha për vete, ti më thanë mua s’ke asgjë. Bashkë me ne ka qenë edhe një ortak tjetër ka pasur një përqindje të vogël. Beni, burri i kësaj ka pasur gjysmë përqindje dhe ne kishim gjysmën tjetër. Ajo më tha unë e dua të gjithën për vete, kjo punë bëhet me një, nuk bëhet me shume veta”, rrëfeu ai.

Biznesmeni tregoi detaje të tjera nga dhunimi që i shkaktoi dëmtimet të shumta. “Nuk e hapa kasafortën, isha në magazinë te dera, atje nuk e di si ndodhi, ka qenë një njeri që me ka ruajtur aty nuk e di. Nuk e di me çfarë më kanë goditur. Mjekët thonë të kanë goditur keq, ke qenë duke vdekur. Kam dy qepje në kokë, më kanë rënë në duar, në këmbë, në fytyrë. Ma ka bërë e zonja e ortakut tim, e kushëririt tim. Ajo ma ka bërë me kalamajtë e vet, se kë kanë thirrur nuk e di. E njoh vëllain e asaj, është në Gjermani. Herën e fundit e kam takuar atë para 1 viti e gjysmë kur kam shkuar në Gjermani me 2 shoferët e mi për të blerë 3 makina. Kanë qenë shumë lek në kasafortë, janë zhdukur shumë lekë. Nuk e mbaj mend sa lek ishin në kasafortë, si mbaj mend shifrat se më ka humbur telefoni, ma kanë marrë. Arben Shijakun e kisha çun halle, kemi që në 1991 që punojmë bashkë. Kishim një jete që punonim bashkë, s’kemi pasur asnjë problem. Para se të njihej me zonjën ne kemi qenë ortakë”, deklaroi biznesmeni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: