Princi Harry është paraqitur sot para Gjykatës së Lartë, në Londër për një seancë dëgjimore pas akuzave të tij për sjellje të paligjshme nga gazetarët dhe botuesit e “Daily Mail” dhe mediave të tjera.

Duka e Sussex-it dhe individë të tjerë kanë paditur gazetën britanike “Associated Newspapers Ltd” (ANL), botuesit e “Daily Mail” dhe “Mail”.

Duka, këngëtari Sir Elton John dhe aktorët Sadie Frost dhe Liz Hurley janë ndër individët që pretendojnë se këto medie kanë mbledhur në mënyrë të paligjshme informacione rreth tyre.

Botuesi i ka përshkruar akuzat si “njollosje të pahijshme”.

Një seancë paraprake katërditore në Gjykatën e Lartë, në Londër do të nisë sot shqyrtimin e argumenteve ligjore dhe një gjyqtar do të vendosë nëse çështja do të vazhdojë më tej.

Në seancë marrin pjesë gjithashtu, bashkëshorti i Sir Elton John, David Furnish, dhe Doreen Lawrence, nëna e Stephen Laërence, i cili u vra në një sulm racist në 1993.

Padia u paraqit vitin e kaluar pasi u grumbulluan prova bindëse se ata kishin qenë viktima të veprimtarisë kriminale të neveritshme dhe shkeljeve të rënda të privatësisë nga (ANL), sipas një deklarate të kompanisë ligjore “Hamlins” e lëshuar në tetor te vitit 2022.

Sipas “Hamlins”, e cila përfaqëson princin Harry dhe Frost, aktiviteti i (ANL) përfshinte:

Punësimin e hetuesve privatë për të vendosur fshehurazi pajisje dëgjimi brenda makinave dhe shtëpive të këtyre personave;

Vënien në punë të individëve për të dëgjuar dhe regjistruar në mënyrë të fshehtë thirrjet telefonike të drejtpërdrejta dhe private të personave gjatë kohës që ato ishin duke u zhvilluar;

Kryerjen e pagesave ndaj zyrtarëve të policisë, me lidhje korruptive me hetuesit privatë, për informacione të ndjeshme të brendshme;

Shtirjen si individë të tjerë për të marrë informacion mjekësor nga spitalet private, klinikat dhe qendrat e trajtimit me mashtrim;

Qasjen në llogari bankare, histori krediti dhe transaksione financiare nëpërmjet mjeteve dhe manipulimeve të paligjshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb