TIRANE- Prezantohen planet e menaxhimit të Peizazhit të Mbrojtur, Lumi Buna dhe Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Të pranishëm ishin Zv.Ministri i Mjedisit, Klejdi Xhaxhiu; Drejtori për Shqipërinë i Cooperacione Italiane, Andrea Senatori; Drejtori i AKZM-së, Zamir Dedej; Drejtues të IUCN, Natura2000, etj. Në këtë kuadër stafi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura zhvilloi një workshop, ku përveçse u prezantuan këto dy studime u shpjegua dhe qasja metodologjike, sipas të cilit ato janë përgatitur. Sipas kësaj metodologjie do të përgatiten dhe planet e tjera të menaxhimit.

IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura (AKZM), financuar nga Zyra e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim, (Italian Development Cooperation Office) po zbaton një projekt për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e kapaciteteve të stafit AKZM për planifikimin dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura. Aktualisht, projekti është duke punuar në dy zona pilot, në Peizazhin e Mbrojtur, lumi Buna dhe Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë, për të cilat janë përgatitur dhe këto plane menaxhimi. Por, për të arritur deri këtu është kaluar nëpërmjet disa etapave.

“Ministria e Mjedisit ka një qasje të re në menaxhimin e Zonave të Mbrojtura dhe këto dy plane menaxhimi tregojnë mënyrën e re të “qeverisjes” dhe po kështu do të punohet dhe në zonat e tjera. IUCN dhe Zyra e Koperacionit Italian në Shqipëri mbështet zhvillimin në këto dy zona të mbrojtura me një fond prej 2.2 milion euro”, theksoi Zv.Ministri i Mjedisit, Klejdi Xhaxhiu. Ndërsa Drejtori i AKZM-së, Zamir Dedej theksoi faktin që asnjë plan menaxhimi nuk do të miratohet pa u diskutuar me komunitetin lokal dhe grupet e tjera të interesit.

“Këto Plane Menaxhimi janë zhvilluar, duke u konsultuar me komunitetin dhe palët e interesuara, pasi ne jemi të hapur në diskutim. Po kështu, do të veprohet dhe në përgatitjen e planeve të tjera të menaxhimit në Zonat e Mbrojtura”, tha Dedej.

Kush është AKZM

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Vendimi. Nr. 102, datë 4.2.2015, ka për qëllim menaxhimin, mbrojtjen, zhvillimin, zgjerimin dhe funksionimin e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura në vendin tonë, që përbëjnë sot rreth 16% të territorit të Shqipërisë. AKZM menaxhon rrjetin e zonave të mbrojtura dhe rrjetet e tjera natyrore si Natura2000 sipas planeve të menaxhimit të hartuara. AKZM monitoron dhe inventarizon florën dhe faunën në këto zona, si dhe një aspekt shumë i rëndësishëm është gjenerimi i të ardhurave nga shërbimet ndaj të tjerëve. AKZM do t’i përdorë këto të ardhura për të investuar në po këto zona.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka një staf prej 224 persona, nga të cilët 20 në zyrën qendrore dhe 204 në Administrata Rajonale të Zonave të Mbrojtura.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: