Kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologët e tij francezë dhe gjermanë, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, bënë sot thirrje që të gjitha palët të punojnë me urgjencë për një zbutje të tensioneve në Gjirin Persik.

Në një deklaratë, tre udhëheqësit dënuan sulmet e fundit kundër forcave të koalicionit në Irak dhe shprehën shqetësim të thellë për rolin “negativ” që Irani ka luajtur në rajon.

Deklarata bën thirrje që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje dhe përgjeshmëri maksimale.

Në deklaratë i bëhet gjithashtu thirrje Iranit të frenohet nga veprime të tjera të dhunshme ose nga zhvillimi i armëve, duke i kërkuar të heqë dorë nga masat që nuk përputhen me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

“Një tjetër krizë rrezikon të prishë përpjekjet shumëvjeçare për stabilizimin e Irakut,” thuhet në deklaratë. “Ne gjithashtu riafirmojmë angazhimin tonë për të vazhduar luftën kundër Shteti Islamik, që mbetet një përparësi e lartë,” thanë udhëheqësit.

Ndërkaq në Teheran, pjesmarrja në funeralin e Kasem Sulejmanit, kreut të gardës revolucionare iraniane të vrarë nga SHBA ishte e madhe. Sipas policisë iraniane, miliona njerëz morën pjesë. Njeriu që do të zëvendësojë Sulejmanin në këtë post deklaroi se Irani do të hakmerret.

Irani ka njoftuar se do të braktisë kufijtë e lejuar për pasurimin e uraniumit dhe aktivitetet kërkimore të përcaktuara në marrëveshjen bërthamore, një akt që mund ta sillte atë më pranë ndërtimit të një bombe atomike.

Zhvillimet e fundit gjithashtu mund të lejojnë rikthimin e grupit Shteti Islamik në Irak dhe ta bëjnë Lindjen e Meme një rajon shumë më të rrezikshëm dhe të paqendrueshëm./voa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb