Emigrantët e paligjshëm shqiptarë që kalojnë kanalin e “La Manshit” me gomone janë kthyer në në problem serioz për organet ligjzbatuese në Britaninë e Madhe.

Edhe pse shumica prej tyre janë vendosur në qendra të përshtatshme për personat që kërkojnë statusin e azilantit në ishull, pasi konsiderohen qenie njerëzore të trafikuara pa dëshirën e tyre, sipas “The Times”, policia britanike ka nisur një operacion për të hetuar një numër në rritje të azilkërkuesve shqiptarë të shpallur të zhdukur gjatë qëndrimit, kryesisht në hotele.

Operacioni “Rosewood”, i çili drejtohet nga policia e West Yorkshire, po heton raportet se grupet e krimit të organizuar, veçanërisht në veri të Britanisë, po synojnë shqiptarët dhe azilkërkuesit vietnamezë për t’i shfrytëzuar në punë që kanë lidhje me drogën.

Policia gjatë këtij aksioni dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe të hartojë programe mbrojtëse kur të gjenden të zhdukurit.

Organizatat bamirëse të refugjatëve gjithashtu kanë zbuluar se të dy kombësitë janë veçanërisht të ndjeshme ndaj trafikantëve që ofrojnë punë në Mbretërinë e Bashkuar, në fermat e drogës.

Më shumë se 35,000 azilkërkues jetojnë në hotele, duke u kushtuar taksapaguesve britanikë të paktën 4 milionë paund në ditë, pasi një numër rekord i emigrantëve vazhdojnë të kalojnë Kanalin. Të enjten, 214 refugjatë kaluan në pesë varka, duke e çuar totalin për këtë vit në 21,072, pothuajse dyfishi i numrit që kishte mbërritur në këtë kohë vitin e kaluar dhe shqiptarët përbëjnë 1/4 e kalimeve këtë vit.

Numri i madh i personave vulnerabël që akomodohen në hotele, përfshirë fëmijët, i ka bërë ata objektiva më të lehtë për grupet e krimit të organizuar.

Azilkërkuesit nuk janë në paraburgim dhe për këtë arsye nuk mund t’u vendosen kushte të tilla si shtetrrethimi ose kufizime se ku ata shkojnë, por sipas ligjit ata janë të ndaluar të punojnë në 12 muajt e parë të qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Këshilli i Refugjatëve i ka kërkuar qeverisë të rrisë mbështetjen për azilkërkuesit, duke përfshirë rritjen e pagesës prej 40 £ në javë, në mënyrë që ata të jenë më pak të varur nga tregu i zi i punës.

Sekretarja e Brendshme, Priti Patel njoftoi dje se 17 kriminelë shqiptarë janë dëbuar me një fluturim çarter për në Shqipëri. Ata ishin të dënuar për krime, ku përfshiheshin tregtimi i drogës të klasit A, mashtrimi dhe pastrim i parave, ndërsa një prej tyre ishte thjesht dhe vetëm emigrant i paligjshëm në Britani.

Ata u depërtuan në Tiranë si pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar nga Patel me qeverinë shqiptare këtë vit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb