Një alarm për bombë në aeroportin e Shkupit, ka bërë që të anulohet fluturimi i avionit të kompanisë “Turkish Airlines” për në Stamboll me të cilin pritej të udhëtonte presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov.

Anulimi i fluturimit është bërë pasi shin bërë të gjitha përgatitjet për fluturim dhe pasagjerët ishin në pritje. Një qen kërkues i MPB ka zbuluar se nuk bëhet fjalë për bombë, por vetëm për një telefon celular në një nga valixhet e pasagjerëve. Policia ka bërë kontroll të imtësishëm të aeroplanit të “Turkish Airlines” por nuk ka gjetur asnjë mjet shpërthyes.

Nga presidenca kanë theksuar se Ivanov përmes Stambollit do të udhëtonte drejt Madagaskarit për pjesëmarrje në Samitin e Frankofonisë. Pas alarmit presidenti Ivanov është evakuar në vend të sigurt.

Sot aeroporti “Aleksandri i Madh” është i hapur dhe qarkullimi ajror funksionon normalisht.

“Gjatë kontrollit të rregullt të sigurisë në aeroplanin për fluturimin e djeshëm në mbrëmje (23 nëntor) drejt Stambollit u gjet një telefon celular i lënë. Për shkak të rregullave të sigurisë të kompanisë ajrore dhe vendimit të kapitenit, fluturakja është kthyer në pozitën e parkimit që të bëhet kontroll shtesë. Kjo është procedurë standarde ndërkombëtare që zbatohet në emër të sigurisë së fluturakeve dhe udhëtarëve. Për shkak të saj, fluturimi u anulua. Pasi të gjitha kushtet u përmbushën, kapiteni vendosi të vazhdojë me fluturimin dhe aeroplani të mërkurën në orën 22;56 fluturoi drejt Stambollit”, thekson TAV Maqedoni.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb