Ka rinisur dje pas një ndërprerjeje një orëshe për shkak të një alarmi për bombë festivali “Mirëdita, dobar dan”.

Policia përcaktoi se informacioni për bombë në Qendrën për Dezinfektimin Kulturor (CZKD) në qendër të Beogradit, ku po mbahet festivali ishte i rremë. Pas kësaj, programi i festivalit rinisi në oborrin e CZKD.

Informacioni rreth bombës së dyshuar erdhi në e-mailin e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), një prej organizatave që organizon festivalin, menjëherë pas nisjes së aktivitetit rreth orës 18:00.

Një ditë para ceremonisë zyrtare të hapjes së festivalit, më 25 maj, në Beograd u hap ekspozita me fotografi “Të gjithë lotët tanë” kushtuar viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi, e cila është gjithashtu pjesë e programit të festivalit.

Çmimet e këtij edicioni të festivalit iu dhanë ditën e enjte Marinko Gjuriqit dhe Lush Krasniqit, përfaqësues të familjeve të viktimave të luftës në Kosovë. Ata të dy janë nga zona e Gjakovës dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Pasi festivali u hap pranë CZKD, një grup prej disa personash u mblodhën për të protestuar kundër festivalit. Ata brohoritën “Kosova është zemra e Serbisë” por policia nuk i lejoi ata t’u afrohen pjesëmarrësve dhe shikuesve.

Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që nga themelimi i tij në vitin 2014, është shoqëruar me protesta të organizatave dhe partive të djathta në Serbi – ata kërkuan ndalimin e festivalit dhe tentuan të pengojnë mbajtjen e tij.

Programi i festivalit të nëntë, sipas organizatorëve, është një ndërthurje e artit, skenës bashkëkohore kulturore dhe ngritjes së çështjeve të rëndësishme në kohëra që janë sfidë e madhe për Kosovën dhe shoqërinë serbe.

“Ka një hendek të madh midis shoqërisë serbe dhe asaj kosovare. Festivali po përpiqet ta zvogëlojë atë hendek derisa të zhduket, ndërsa elitat politike po punojnë për ta thelluar atë,” tha për Radion Evropa e Lirë (RFE) Fiona Jelici nga organizata për të drejtat e njeriut (YIHR), një nga organizatat që organizon festivalin.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet në Beograd që nga viti 2014, me qëllim të krijimit të një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

Përpara hapjes së ekspozitës “Të gjithë lotët tanë”, aktivistët e Partisë së djathtë Demokratike të Serbisë kanë mbajtur të mërkurën një protestë përpara sallës “Enxhio hab”.

Kryetari i kësaj partie, Millosh Jovanoviq, ka thënë se festivali promovon pavarësinë e Kosovës, e cila, sipas tij, cenon rendin kushtetues të Serbisë.

Partia Demokratike e Serbisë (DSS) protestoi përballë “Engio Hub”, duke kërkuar anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, 25 maj 2022.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.

Javëve të fundit, ka pasur disa kërcënime të rreme me bomba në adresa të ndryshme në Serbi, por edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb