Nga: Ermelinda Hoxhaj

Minimalisht çdo ditë një grua në Shqipëri diagnostikohet me kancer gjiri. Vetëm në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë hasen mesatarisht rreth 350 raste të reja në vit. Kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te femrat në krye të listës së incidencës dhe vdekshmërisë nga kanceri, krahasuar me llojet e tjera të kancerit te gratë. Sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) në 2015-ën në vendin tonë ishin të diagnostikuara mbi 4600 raste me kancer gjiri. Të dhënat e mjekëve onkologë tregojnë se ka një tendencë në prekjen nga kanceri i gjirit i femrave në moshë të re.

Kanceri & Situata
“Çdo vit në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë hasen mesatarisht rreth 350 raste të reja me kancer gjiri, me një prirje të lehtë rritjeje dhe me një kulm prej 443 rastesh në vitin 2013. Për vitin 2015 vlerësohen të jenë mbi 4600 raste gjithsej (të reja dhe të vjetra) me kancer gjiri. Numri i përgjithshëm i ndërhyrjeve kirurgjikale, një tjetër tregues i shpeshtësisë së sëmundjes së kancerit të gjirit arriti për herë të parë në vitin 2014 vlerën 502 operacione”, – sqarohet nga ISHP. Ajo që ngrihet si shqetësim nga mjekët onkolog është fakti se shpeshherë diagnostikimi është shumë i vonuar, pasi pacientët paraqiten në faza të avancuara kur trajtimi bëhet shumë i vështirë dhe në disa raste i pamundur. Edhe pse sipas ISHP-së, vitet e fundit janë pakësuar rastet e kancerit të gjirit të lëna shumë pas dore dhe të identifikuara në madhësinë mbi 5 cm.

“Diametri i kancerit të gjirit në momentin e diagnozës është një tregues tjetër i rëndësishëm i lidhur me kapjen herët të këtij kanceri. Kombinimi i faktorëve epidemiologjik, rritja e informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës dhe përmirësimi i kapacitetit të shërbimeve duket të kenë pasur një efekt relativisht pozitiv në uljen e numrit të kancereve të diagnostikuar shumë vonë. Përmirësimi në kapjen e tij në kohën e duhur ka pakësuar rastet e kancerit të gjirit të lëna shumë pas dore dhe të identifikuara në madhësinë mbi 5 cm”, – sqarohet nga ISHP. Ndërsa, sa u përket moshave të prekura po vihet re një tendencë e prekjes së moshave të reja. “Mosha më e prekur është ajo mbi 50 vjeç, por vihet re një tendencë e prekjes nga kanceri i gjirit edhe i moshave më të reja. Të dhënat tregojnë për një rritje të numrit të rasteve gjatë viteve të fundit, fenomen ky që vërehet edhe në shumicën e vendeve në zhvillim”, – sqarojnë specialistët. Sa u përket simptomave, mjekët bëjnë me dije se asnjë femër nuk duhet të anashkalojnë, ënjtjet, dhembjet apo fryrjen e gjirit apo të pjesës nën krah, pasi mund të jenë në fillimet e një kanceri të gjirit.

Ndërsa disa nga faktorët që e bëjnë një grua më të rrezikuar për t’u prekur nga kanceri i gjirit janë: mosha, rreziku për kancerin e gjirit rritet me rritjen e moshës. Ndryshimet në disa gjene, deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i një defekti gjenetik; fillimi i hershëm i menstruacioneve, para moshës 12 vjeç; shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindja e fëmijëve; fillimi i menopauzës pas moshës 55 vjeç; mungesa e aktivitetit fizik; historitë familjare me kancer gjiri; të qenit mbipeshë apo obeze. Sa i përket trajtimit, kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra si, ndërhyrje kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb