Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha sot se Rusia ka dislokuar aktualisht numrin më të madh të trupave dhe pajisjeve ushtarake në Bjellorusi që nga Lufta e Ftohtë. Ndërkohë Moska po vazhdon të rrisë praninë ushtarake në pjesë të tjera në kufi me Ukrainën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet dhe përsëriti paralajmërimin e Perëndimit se çdo agresion i mëtejshëm rus do të përballej me pasoja të rënda e kosto të lartë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg shprehu shqetësimin të enjten se Rusia po vazhdon të grumbullojë trupa ushtarake rreth Ukrainës çka ka çuar aktualisht, në dislokimin më të madh të trupave e pajisjeve ushtarake në Bjellorusi, në 30 vitet e fundit. Zoti Stoltenberg tha se numri i forcave ushtarake ruse në Bjellorusi pritet të shkojë në 30,000.

“Sapo kemi diskutuar rreth rritjes së vazhdueshme të pranisë ushtarake të Rusisë rreth Ukrainës, e cila ka aktualisht mbi 100,000 trupa. Gjatë ditëve të fundit, kemi parë lëvizje të konsiderueshme dhe forca ushtarake ruse në Bjellorusi. Ky është dislokimi më i madh rus atje që nga Lufta e Ftohtë, dhe pritet që numri të shkojë në 30,000 trupa luftarake, përfshirë Forca të Operacioneve Speciale ‘Spetsnaz’, avionë luftarakë, mes tyre Su-35, raketa me rreze të shkurtër veprimi ‘Iskander’ si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore S-400. Pra, flasim për një gamë të gjerë kapacitetesh moderne ushtarake. E gjithë kjo do të kombinohet me stërvitjen vjetore të forcave bërthamore ruse, që pritet të zhvillohet këtë muaj”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet dhe përsëriti paralajmërimin e Perëndimit se çdo agresion i mëtejshëm rus do të përballej me pasoja të rënda e kosto të lartë. Zyrtarët rusë mohojnë se kanë në plan të pushtojnë Ukrainën. NATO ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të vendosë trupa në Ukrainë ne rast të një pushtimit rus, por aleanca ka filluar ndërkohë të përforcojë praninë ushtarake në vendet anëtare aty pranë, veçanërisht në Estonisë, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Aleanca ushtarake, me 30 anëtarë, ka në plan gjithashtu të forcojë mbrojtjen në rajonin e Detit të Zi, pranë Bullgarisë e Rumanisë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb