Aborti është procesi që kryhet për ndërprerjen e shtatzënisë para moshës së barrës prej 12 javësh. Në vendin tonë, sipas statistikave kryhen deri në 17.2 aborte për 100 lindje. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare“, mjeku obstetër-gjinekolog Bajram Balliu tregon se medikamentet që merren për ndërprerjen e shtatzënisë, jepen nga shumë farmacistë të papërgjegjshëm pa këshillën e mjekut. Sipas mjekut, këto medikamente që hyjnë në vendin tonë janë të palicencuara e në shumë raste jeta e gruas ka qenë në rrezik për shkak të hemorragjisë së theksuar.

Balliu më tej tregon të gjitha komplikacionet që vijnë si pasojë e abortit e u bën thirrje gjithë femrave që duan të kryejnë një procedurë të tillë, që të drejtohen pranë materniteteve apo klinikave të licencuara e të bëjnë paraprakisht të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

Sa është numri i aborteve në Shqipëri?
Aborti është ndërprerja e shtatzënisë përpara moshës së barrës 12 javë, i cili mund të jetë spontan apo me dëshirën e pacientes dhe partnerit të saj. Në vendin tonë aborti është i lejuar që nga viti 1992 e ky proces kryhet nga një mjek obstetër-gjinekolog, sipas ligjit mbi abortin. Aktualisht në Shqipëri kryhen 7.3-17.2 aborte për 100 lindje.

Cilat janë ekzaminimet që kryhen paraprakisht nga mjeku përgjegjës?
Mjeku që merr në ngarkim çështjen duhet të bëjë përcaktimin e saktë të moshës së barrës, edhe nëse pacientja dëshiron ta abortojë. Kësaj të fundit i bëhet me dije procedura dhe njihet me ligjin mbi abortin. Më tej, pas një jave, merret anamneza, e kryhet ekzaminimi objektiv dhe ekzaminimet e nevojshme laboratorike (gjak komplet, grupi i gjakut, koha e protrombinës, kulturë e sekrecioneve vaginale etj.) sipas protokollit.

Cilat janë metodat e kryerjes së abortit?
Ka dy mënyra për të kryer abortin që janë metoda medikamentoze dhe ajo kirurgjikale (me vacuum aspirator, kyretazh). Metoda medikamentoze kryhet vetëm nëse mosha e barrës është më pak se 49 ditë. Duhet theksuar se në praktikën e përditshme, hasim shpesh komplikacione të shumta nga përdorimi i këtyre medikamenteve (të palicensuara në vendin tonë).

Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://www.gsh.al/2018/03/19/alarmi-medikamentet-per-abort-te-palicencuara-ne-vendin-tone/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: