Astma e fëmijërisë është sëmundja kronike më serioze mes fëmijëve sipas Organizatës Botërore të Shëndetit. Një raport i ri thotë se ndotja nga trafiku është një shkaktar kryesor i sëmundjes. Kevin Enochs i Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi.

Dihet se ndotja nga trafiku është një kontribues i madh tek ndryshimet klimatike, por hulumtime të reja sugjerojnë se gjithashtu

është një faktor kryesor i problemeve shëndetësore në mbarë botën. Susan Annenberg është me Institutin Milken për Shëndetin Publik.

“Përllogaritjet e fundit tregojnë se ndotja e ajrit faktikisht është faktor kryesor i rrezikut shëndetësor në mbarë botën, më i madh se çdo shkaktar mjedisor që shkakton sëmundje.”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, ndotja e ajrit shkakton rreth 3.7 milionë vdekje të parakohshme çdo vit.

Por, ky studim i ri nga Universiteti George Washington në kryeqytetin amerikan tregon një ndotës specifik, dioksidin e nitrogjenit, NO2, nga ndotja që çlirojnë makinat, si shkaku kryesor i astmës së fëmijërisë në shumë qytete të botës.

“Ndotja nga dioksidi i nitrogjenit ka një ndikim të madh tek shumë fëmijë në mbarë botën të diagnostikuar me astmë. Ndikimet më të mëdha janë parë në qytete ku pothuajse rreth 50 përqind e rasteve të reja të

astmës mes fëmijëve në disa qytete në mbarë botën i atribuohen ndotjes nga dioksidi i nitrogjenit”, -thotë Susan Annenberg me Institutin Milken për Shëndetin Publik.

Ndërsa një element tejet shqetësues nga studimi është se qytetet ku po përhapet astma kanë nivelet e dioksidit të nitrogjenit brenda kufijve të konsideruar të sigurtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Një nga gjetjet më të habitshme është se aktualisht 90 përqind e rasteve të astmës së shkaktuar nga dioksidi i nitrogjenit ndodhën në zona që përmbushin udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëdentësisë për ndotjen mesatare vjetore”, thotë Ploy Pattanun Achakulwisut, e Institutit Milken për Shëndetin Publik.

Shumica e qyteteve me nivele të larta të ndotjes nga makinat janë në shtete si Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara. Zgjidhja, thonë hulumtuesit, është vazhdimi luftës kundër fenomenit të gazeve që

krijojnë fenomenin serë dhe ngohjen globale, sepse të dy problemet janë të lidhura ngushtë.

“Një prej gjetjeve është se qytetet që kishin nivele të larta dioksidi nitrogjeni po ashtu kishin nivele të larta të gazeve të efektit serë. Një gjë që mund të bëhet është mënjanimi i djegies së lëndëve fosile dhe reduktimi në çfarëdo lloj mënyre”, thotë zonja Annenberg.

Hulumtuesit thonë se shpresojnë të bëjnë studime të mëtejshme për të kuptuar se cilat kimikate specifike nga ndotja e makinave shkaktojnë astmën, në mënyrë që të trajtojnë këto burime specifike të ndotjes./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: