Partia Demokratike përmes Dorian Telitit ka hedhur akuza të forta për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Ai thotë se pas 9 kushteve të vëna nga Gjermania për negociata, Shqipëria merr sot një tjetër shuplakë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për PPP-të.

Më tej, Dorian Teliti thekson se “vjedhjet galopante ndaj pronës publike dhe korrupsioni i PPP nga kjo qeveri janë kthyer në makth jo vetëm për investitorët vendas por edhe ata të huaj. Nxjerrja e vendit nga kriza ku e ka zhytur Edi Rama është emergjencë kombëtare”.

Postimi i Telitit:

“Pas 9 Kushteve të Gjermanise vjen edhe një shuplakë nga FMN.  PPP – luga e artë për oligarkët e qeverisë, që varfëroi Shqipërinë. Alarmit të dhënë prej kohësh nga opozita për korrupsionin në PPP nuk i ka mjaftuar qeverisë, e cila prej 6 vitesh ka privatizuar dhe dhënë me koncesion cdo gjë që i ka dalë përpara.

Këtij shqetësimi iu  bashkua, madje me thirrje urgjente, Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke i kërkuar prej vitesh tashmë Ramës dhe qeverisë së tij të ndalojë me propozimet e pakërkuara për shërbimet dhe investimet publike. Edhe sot, për të disatën herë, shefi i misionit të FMN për Shqipërinë, ka rithënë ekzaktësisht atë që opozita prej vitesh e ka ngritur shqetësim prioritar për ekonominë. Thirrjet tona kanë rënë në vesh të shurdhër të qeverisë por jo të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që i kërkon qeverisë të ndryshojë trajektoren e prioriteteve për investimet publike dhe që cdo proces prokurimi të jetë i hapur dhe konkurues.

Vjedhjet galopante ndaj pronës publike dhe korrupsioni i PPP nga kjo qeveri janë kthyer në makth jo vetëm për investitorët vendas por edhe ata të huaj. Nxjerrja e vendit nga kriza ku e ka zhytur Edi Rama është emergjencë kombëtare. Partia Demokratike ka gati planin e shpëtimit dhe do të nisë ta implementojë atë që ditën e parë në qeverisje”-thuhet në njoftim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: