Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, në kuadër të sfidës miqësore kundër Bjellorusisë, në një intervistë për mediat ka prekur edhe tema të tjera, siç është humbja e dy ndeshjeve radhazi të Kombëtares A.

Për ‘rtsh’ Bushi e nisi duke folur për afrimet e reja në skuadër.

“Janë shumë lojtarë që kanë ardhur për herë të parë, si në ndeshjen me Bosnjen, edhe me Bjellorusinë. Janë ditëlindja 98-99, sepse në muajin mars të vitit tjetër, luajmë me këtë ditëlindje. Po fillojmë të ndërtojmë ekipin për sezonin 2019, sepse duke parë që dolëm jashtë objektivave me ditëlindjen 96-97, dhe gjysma e ekipit kaloi te ekipi A, dhe disa të tjerë të dëmtuar, menduam të thërrasim lojtarë të rinj.

Shqipëria është shumë keq, nuk ka nxjerrë mbrojtës fare. E kuptoj shumë mirë Panuçin. Edhe pse Shqipëria i ka lojtarët, por nëse nuk kanë minuta në këmbë, e kanë të vështirë të luajnë në nivele të larta. I kemi dhënë shumë rëndësi mbrojtëse këtë radhë. Herës tjetër do grumbullojmë mbrojtës të ditëlindjes 2000. Edhe pse janë 2-3 vjet më të vegjël, unë do i grumbulloj të luajnë me Shpresat, për t’i përgatitur për ekipin e parë, pasi aty kemi shumë probleme.

Më i rëndësishëm është testi i lojtarëve, pasi rezultati në këto miqësore nuk është se ka shumë vlerë. Por, gjithsesi, çdo trajner apo lojtar kur futet në një ndeshje duhet të futet për fitore” – deklaroi Bushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb