TIRANË

Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Alban Toro është nën hetim nga SPAK i dyshuar për falsifikim dokumentesh. Më 13 korrik të këtij viti Gjykata e Apelit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit la në fuqi vendimin e GJKKO e cila urdhëronte SPAK për nisje të hetimeve ndaj anëtarit të KLGJ.

Ky vendim nuk u ankimua nga Alban Toro duke i hapur rrugë hetimeve të SPAK. Pavarësisht se është nën hetim Toro vijon të jetë pjesë e KLGJ.

Kreu i shoqatës së avokatëve antikorrupsion Ndue Pjetra thotë se i është drejtuar disa herë KLGJ-së për t’u shprehur në lidhje me pozicionin e Toros, duke qenë se është nën hetim, por nuk ka marrë përgjigje. Në këto kushte shoqata do t’i drejtohet Gjykatës administrative.

 

Alban Toro dyshohet se është zgjedhur si anëtar i KLGJ me dokumente të falsifikuara. Shoqata e avokatëve anti korrupsion ka siguruar dokumente që faktojnë se Alban Toro nuk plotësonte kriterin e vendosur nga KLGJ që anëtarët duhet të kenë ushtruar profesionin e avokatit për të paktën 10 vite pa ndërprerje. Ai ka dorëzuar në KLGJ dokumete të falsifikuara për të fshehur këtë fakt dhe është zgjedhur anëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb