TIRANË

Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi akuzon qeverinë se nuk ka arritur të mbrojë asnjë viktimë të dhunës në familje, një prej tyre edhe gjykatëse. Duke iu referuar ndryshimeve në Kodin Penal Vokshi shkruan se nëse ke shkatërruar me sukses në 7 vite një mekanizëm të tërë referimi, masat e reja e të vjetra ndëshkuese, nuk bëjnë derman.

Sipas saj, Kodi i ndryshuar Penal mbron vetëm të drejtat e pushtetit të dhunshëm dhe këtë dëshmoi votimi sot në parlament i dënimeve me burg, për secilin prej nesh, që del nga shtëpia pa lejen e Edi Ramës!

POSTIMI I PLOTË
Me ndryshime antikushtetuese, nuk mund të mbrohen të drejta legjitime kushtetuese.
Kodi Penal i një pushteti të dhunshëm!

Ndryshimet #Antikushtetuese të Kodit Penal, ashpërsimi i masave për dhunën në familje- janë propagandë e qeverisë që po tenton të mbulojë dështimin spektakolar me dhunën në familje.

Në 4 vite qeverisje nuk arritën të mbrojnë asnjë viktimë të dhunës në familje, një prej tyre edhe gjykatëse.
Statistikat e #dhunës në #familje në Shqipëri kanë treguar që rritja e masës së ndëshkimit të dhunuesve nuk ka sjellë uljen e numrit të rasteve të dhunës.

Problemi nuk qëndron te Kodi Penal e masat ndëshkuese. Problemi kryesor është që lufta kundër dhunës në familje nuk ka qene kurrë prioritet e nuk është marrë kurrë me seriozitet nga Qeveria Rama 1&2. Nëse ke shkatërruar me sukses në 7 vite një mekanizëm të tërë referimi, masat e reja e të vjetra ndëshkuese, nuk bëjnë derman.

Në dhjetor 2017, 10 deputetë të PD mes të cilëve edhe Kryetari i PD Basha, propozuan një rezolutë me nisma konkrete për disa insitucione shtetërore shoqëruar me afatet përkatëse, që nëse zbatoheshin do të reduktonin ndjeshëm dhunën në familje.

Rezoluta e PD kërkonte:

Rishikimin dhe forcimin e të gjithë mekanizmave për mbrojtjen e viktimës dhe vënien në dispozicion të mjeteve të nevojshme për rastet e dhunës apo edhe të rrezikut për jetën, duke mirëpërcaktuar detyrimet e pushtetit qendror, pushtetit vendor, Policisë së Shtetit, prokurorisë, parlamentit, shoqërisë civile e medias. Po ashtu, Rezoluta parashikonte edhe masa për ndihmë të drejtpërdrejtë për forcimin ekonomik të grave që kishin pësuar dhunë.

Por, më shumë se dy vjet pas miratimit në Kuvend të kësaj rezolute, Qeveria nuk ka marrë asnjë masë, nuk është bërë asgjë për implementimin e saj. Shifrat e dhunës në familje, krahasuar me dy vjet më parë, janë alarmante. Duket njëjtë me bilanci lufte!

Një studim i fundit i OSBE ka publikuar shifra tronditëse: 67% ose rreth 1 milionë gra në Shqipëri pësojnë një formë dhune. Janë mbi 2600 raste dhune në ditë, ku rreth 1800 raste mbeten të padenoncuara.

Arsyet?
– Mekanizmi i referimit të dhunës në familje është #shkatërruar;
– Kryeministri bëhet shpesh nxitës i dhunës në familje;
– Institucionet shtetërore nuk #mbrojnë #gratë, por #dhunuesit, kriminelët, trafikantët apo familjarët e deputetëve te Ramës.

Kodi i ndryshuar Penal mbron vetëm të drejtat e pushtetit të dhunshëm dhe këtë dëshmoi votimi sot në parlament i dënimeve me burg, për secilin prej nesh, që del nga shtëpia pa lejen e Edi Ramës!
#NdryshimetNëKodPenalAntikushtetuese

Vokshi Fb
Vokshi Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb