Kandidatja e PD-së, Albana Vokshi ka zhvilluar sot një takim me disa të rinjtë, të cilët kanë shprehur zhgënjimin e tyre për qeverinë aktuale.

Gjatë një bashkëbisedimi me Florianin, një i riu që ishte kthyer nga emigrimi në Angli, ky i fundit i tregoi Vokshit se mbijetesa i është bërë gati e pamundur për biznesin e tij të celulareve.

“U ktheva për një jete më të mirë me shpresë, në 2018. Por ndihemi të braktisur pa asnjë mundësi. Paguaj 400 mijë lekë taksa, për 6 metra dyqan. Jam i diplomuar dhe i specializuar në kurse trajnimi dhe nuk gjej punë.”, tha i riu. Floriani tha se të rinjtë si ai do të votojnë masivisht për ndryshimin, pasi e vetmja shpresë e tyre është PD. Për Albana Vokshin, detyrimi i të rinjve për t’u larguar nga vendi është për shkak të mungesës së mundësive.

“Çdo ditë takoj nëna baballarë familje të tëra që nuk kanë fëmijët. Kanë ikur profesionistët, njerëzit me tru. Pse? Sepse nuk kanë mundësi të shkollohen, sepse tarifat e universitetit dhe shkollave janë shtrenjtuar. Vetëm 3 vitet e fundit kanë ikur 32 mijë të rinj, sepse Rama mashtroi për 300 mijë vende pune, ju mashtroi ju të rinjve në 2013 dhe ka 8 vite që ju mashtron. Shqipëria jo vetëm ka mbetur në vend numëro por ka bërë shumë hapa mbrapa.” -tha Albana Vokshi, duke ftuar të rinjtë të shkojnë në votime ne 25 prill dhe të votojnë për ndryshimin.

“PD ka një program me fokus rininë dhe arsimimin e tyre, punësimin në mënyre që ju mos të largoheni nga vendi por ta përkushtoni talentin dhe aftësitë tuaja për vendin. Të votojmë qeverinë e Lulzim Bashës që ka prioritet zhvillimin tuaj, një qeveri që do ta bëjë Shqipërinë për të rinjtë”- u shpreh Vokshi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb