TIRANË

Deputetja e zgjedhur e PD-së Albana Vokshi ka folur sot në Kuvendin Kombëtar të PD si një prej drejtueseve politike për 25 prillin dhe ‘masakrën zgjedhore’.

Ajo u ndal gjatë tek çështja e patronazhistëve, duke e cilësuar si rilindjen e më së keqes që ne mendonim se u zhduk me komunizmin. Sipas Vokshit, të dhënat e të gjithë votuesve në të gjithë Shqipërinë iu janë vënë në dispozicion shtabeve elektorale të PS.

“Ndihem e nderuar dhe e privilegjuar, që në cilësinë e një prej drejtuesve politike të PD në Qarkun Tiranë, për degët 9 dhe 11, të marr fjalën sot para mijëra delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë Shqipëria, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Të nderuar delegatë,
Dua ta hap fjalën time me një falenderim deri në përulësi ndaj çdo demokrati që nuk na braktisi kurrë, s’hoqi kurrë dorë nga kauzat dhe idealet e PD edhe në ditët më të vështira të opozitës më të vështirë, sic ishte ajo e viteve të fundit. Mirënjohje cdo qëndrestari demokrat që mori pjesë në cdo protest e aksion opozitar, që I rezistoi dhunës policore, që ende ka në trup helmin e gazit që u hodh pa kriter, për cdo të burgosur politik të regjimit të instaluar prej Edi Ramës që në 8 vitë mbolli burgosje, përndjekje, dhunë, shantazhe, shkatërrim të trashëgimisë kulturore, grabitje të pronave, largime politike nga puna, varfëri të tejskajshme, spastrim të popullsisë.
Jam thellësisht e prekur dhe mirënjohëse për çdo grua, vajzë, çdo nënë, për çdo burrë, djalë e prind, që natën e bënë ditë dhe, ditën e sakrifikuan çdo orë e minutë në terren, derë më derë, për të shpjeguar tek njerëzit,alternativën e programit të zhvillimit të PD, për të sqaruar vokacionin europian të ADN së partisë sonë, për të bindur të rinjtë se vetëm PD me në krye Lulzim Bashën kthen shpresën dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Si drejtuese politike më është kërkuar t’i raportoj Kuvendit për analizën e rezultatit zgjedhor, masakrës zgjedhore, për dy degët që unë drejtova në njësinë 9 dhe 11 në Tiranë. Por unë këtë analizë dua ta trajtoj nga një tjetër këndvështrim, pasi dua të ndaj me ju disa gjetje të një analize që unë kam bërë të sistemit tëpatronazhimit në njësitë 9 dhe 11 dhe imapktin e kësaj skeme në rezultatin e votimi”, tha Vokshi

Ajo theksoi më tej se vjedhja me leje dhe porosi të Edi Ramës, e të dhënave përsonale të cdo votuesi, përpunimi nga AKSHI dhe ngritja e skemës së patronazhistëve është jo vetëm fenomeni më i shëmtuar që shoqëroi këto zgjedhje, por edhe krimi më i rëndë elektoral, që ka ndodhur në Shqipëri.

“Një ndër instrumentet më absurde, më të paskrurpujt që përdori ky pushtet ishin patronazhistët. Në shkelje flagrante të ligjit për mbrojtjen dhe përdorimin e të dhënave personale, në cenim të rëndë të të drejtës kushtetuese për privaci, modeli më i përçudnuar i individit të gjunjëzuar dhe të keqpërdorur nga qeveria Rama, u bë simboli më tipik i shkeljes së lirisë dhe drejtësisë së zgjedhjeve.
Mediat kanë zbuluar të dhënat e vetëm 910 mijë votuesve në Tiranë, por ju siguroj që AKSHI ka përpunuar të dhënat e të gjithë votuesve në të gjithë Shqipërinë duke ja vënë në disposición shtabeve elektorale të PS.
Si shumëkujt, edhe mua më ranë në dorë disa prej këtyre të dhënave për degët që unë drejtoja. Në to gjeje cdo gjë, cdo info, për cdo votues, cdo familje: që nga nr i kartës së identitetit, nr banesës, vendi i punës, NIPT, paga, targat e makinave, gjobat e tyre, analizat e check up, mjekun e familjes, shkollën e fëmijëve, mësuesin kujdëstar, ndihmën ekonomike praktikisht cdo gjë. Kanë hyrë kështu në cdo shtwpi, në cdo familje!!!”, u shpreh Vokshi.

Deputetja e zgjedhur e PD duke treguar historinë e një patronazhisti tha se ai është në shumicën e rasteve një drejtues i një niveli të lartë në një institución shtetëror apo bashki, është një punonjës publik, apo punonjës i kompanive të afërta me Partinë Socialiste.
“Patronazhisti është femër, mashkull, i shkolluar, ose i pashkollaur, është i çdo moshe. Është një si gjithë të tjerët. Por ai ka një dalim: ai merr përsipër të spiunojë përgjithësisht nga 10 deri në 100 votues.
Të spiunuarit prej tij mund të jenë familjarë të tij, mund të jenë shokë apo miq, mund të jenë fqinj, mund të jenë kolegë në punë.
Patronazhisti flet me ta siç flitet me një shok, me një fqinj, me një koleg apo me një të afërm. Prandaj ti je i siqnertë me të, ai të pyet me dhemshuri dhe ti I përgjigjesh me sinqeritet për hallet, problemet, shqetësimet, mungesat…
Patronazhisti fikson në kujtesë, përpiqet të kuptojë marrëdhëniet e tua, punën, hallet, mendimet politike që të spiunojë tek Partia. Patronazhisti shpërblehet për spiunimin me një vend pune, me promovim, me tendera, me para… e në të njëjtën kohë, ajo apo ai që spiunohet mund të ketë pasoja”, deklaroi Vokshi ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb