Në vitin 1993 për arsye humanitare dhe shëndetësore, vjen në Shqipëri doktor Muricio Bosio. Tre dekada më vonë ai është në Tiranë për të promovuar albumin e tij me fotografi ku takohen vitet ‘90, vitet 2000 e ditët tona, me kaosin, gjendjen, narrativën e të tria kohëve.

“Ai udhëton në Shqipëri bashkë me pasionin e tij, fotografinë. Gjatë gjithë udhëtimit të tij nga 1993-2017 është kujdesur që bashkë me kontributin humanitar të fotografojë, njerëz, çaste, monumente e çaste të veçanta”, tha botuesja Anila Bisha.

“Mbërrita në Shqipëri në Mars 1993, kur vendi ishte në fazën e hapjes së ndrojtur pas 50 vitesh mbyllje. Ky imazh që tregon një bari të vogël dhe nënën e tij në malet e Dajtit, simbolizon situatën që ishte vendi: e reja në fazë rritjeje, me shikim të hutuar në të ardhmen, e në një çasti trans tipik për imagjinatën, ndërsa e vjetra, vepron sipas kulturës së vet”, tha mjeku Mauricio Bosio.

Duke sjellë imazhe të ndalura në kohë e portrete që përçojnë kaos e dinjitet, Jugu, Veriu dhe Shqipëria e mesme dokumentohen në albumin e një vendi në udhëtim të tronditur, çka duket se përcillet në pezullin e imazheve të njerëzve të trembur, të habitur, apo në muret e gurët e monumenteve që mund të gjenden në imazhe me pamjen e nisjes së një kohe tjetër .

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb