Nga: JORGJI KOTE*
Kur 50 milionë shikues nga e gjithë bota po ndiqnin koncertin tradicional të Vitit të Ri të filarmonisë prestigjioze të Vjenës ata nuk e dinin se çfarë surprize të mahnitshme muzikore kishin përgatitur organizatorët gjatë pushimit ndërmjet dy pjesëve. Ndaj, ata u magjepsën kur panë të shfaqen 4 virtuozë shqiptarë, duke performuar disa nga pjesët më të spikatura të muzikës sonë popullore të përpunuar. Të shoqëruara me valse fine edhe nga maestro i madh shqiptar i baletit të Vjenës, Eno Peçi, nën rrezet e diellit dhe në “Ringstrasse” – unaza e famshme vjeneze që sivjet feston 150-vjetorin e saj, ajo intermexo muzikore ishte më tepër se parfum dhe shampanjë artistike; ajo ishte “Albanian Soul”, pra shpirti shqiptar. Gjithashtu, vështirë se mund të vinte një kartolinë më magjepsëse dhe një prelud i mahnitshëm artistik qysh në orët e para të këtij viti nga Vjena e lashtë aristokrate dhe muzikore. Ato minuta me ritmin dhe tingujt e magjishëm të instrumentistëve tanë të talentuar bënë xhiron e botës dhe u kthyen në një manifestim të vlerave më të mëdha të shqiptarëve, të cilat, jo vetëm që i shkojnë, por dhe ia shtojnë vlerat artit dhe kulturës ndërkombëtare! Kjo performancë mbresëlënëse vërteton edhe njëherë më së miri atë çka pohojnë shumë autorë të huaj me zë, se krahas letërsisë dhe artit, kënga dhe muzika janë “violina e parë” në serinë e instrumenteve të tjera të diplomacisë së kulturës; kjo e fundit, falë fuqisë së saj joshëse, tërheqëse dhe bindëse ose “soft power”, siç njihet ndryshe, është bërë jetike për imazhin, politikën, por dhe diplomacinë e një vendi. Performanca e artistëve tanë në Vjenë tregoi dhe njëherë se kultura është shumë më tepër se çështje dëfrimi, zbavitje apo argëtimi. Siç pohojnë dhe autorët e huaj më me zë, ajo dhe diplomacia e kulturës në veçanti përfaqëson rrezatimin e vlerave tërësore emancipuese të shoqërisë në marrëdhëniet e jashtme, nxitjen e mirëkuptimit qytetar, tolerancën, bashkëjetesën ndërmjet besimeve fetare, njohjen dhe pranimin e vlerave të tjetrit, përfshirë dhe dallimet e deri te dialogu i vazhdueshëm dhe paqësor. Eksperti i mirënjohur i kësaj fushe, Mark R. Cohen e quan këtë dimension “faith-based diplomacy”. Kjo, pasi diplomacia e kulturës synon dhe mbështetet në krijimin e mirëbesimit ndërmjet palëve dhe aktorëve të ndryshëm të jetës politike, ekonomike dhe civile të vendeve dhe shoqërive të ndryshme. Ndërsa, Milton Cummings e përkufizon atë si “shkëmbim të ideve, vlerave, informacionit, traditave, besimeve dhe aspekteve të tjera të kulturës, me qëllim nxitjen e mirëkuptimit”. Nisur nga rrezatimi i tyre i pakufishëm, qysh në kohërat më të hershme janë caktuar në postet më të larta diplomatike edhe përfaqësues të shquar të artit, kulturës dhe letërsisë. Kështu, Bonaparti dërgoi ambasador në Romë, poetin e shquar të romantizmit, Francois-Rene de Chateau. Stendali, më 1930, kur shkroi “E kuqja dhe e zeza” ishte emëruar konsull në Trieste; ndërsa poeti De Lamartine në fillim të shekullit XIX ishte ambasador në Itali. Holanda, kjo pioniere e njohur e merkantilizmit, e vlerësonte rolin e artistëve të mëdhenj edhe në diplomaci. Autoritetet e asaj kohe kishin caktuar ambasador në Spanjë piktorin gjenial Rubens. Duke ardhur te vendi ynë, dijet se mbreti Zog emëroi si ministër fuqiplotë në SHBA në vitin 1925 publicistin dhe euriditin elitar, Faik Konica. Konica ishte më i madhi, por gjithsesi jo i vetmi diplomat kulture i një kalibri të rrallë të asaj kohe. Me gjithë problematikën e rastit, ka pasur hapa pozitivë lidhur me emërimin i personaliteteve elitare të artit dhe letërsisë në poste kyçe diplomatike jashtë vendit pas viteve ’90. Ndaj, promovimi i personaliteteve tona të artit, letërsisë dhe muzikës në hierarkinë qeveritare dhe atë të diplomacisë së kulturës gjatë kohëve të fundit është vërtet domethënës dhe inkurajues. Veç sa sipër, artistët dhe sidomos grupet e famshme muzikore janë pjesë vitale e diplomacisë së kulturës dhe emblema të shteteve nga kanë ardhur dhe të artit botëror. Kështu, kur përmend SHBA-të, të vijnë ndër mend të gjallë Elvisi dhe M. Jacksoni; përmend Anglinë dhe Liverpulin, mendja të shkon menjëherë te grupi legjendar “The Beatles”; përmend Suedinë dhe na dalin të gjalla e vibruese “Abba”-t e famshme; fol për Gjermaninë dhe të vjen jehona e “Modern Talking”; flet për Greqinë, e menjëherë thua instinktivisht Marie Callas dhe Irene Papas; kur përmend Domenique Modugno, Luciano Pavarotti, Adriano Çelentano e të tjerë thua me një të hapur të gojës “Italia” e kështu me radhë. Roli i grupeve të famshme artistike ka qenë vendimtar edhe në frontet diplomatike. Siç ka treguar me vërtetësi gazetari i njohur veteran Ymer Minxhozi, i cili kryesonte delegacionin e rastit, Ansambli ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore ishte i pari që dha për herë të parë një seri shumë të suksesshme shfaqjesh në RFGJ në vitin 1983, kur nuk kishim ende marrëdhënie diplomatike. Veç publikut të shumtë, aty ishin të pranishëm edhe disa personalitete gjermane dhe ishkryeministri legjendar i Bavarisë, miku i vendit tonë, Franz Josef Strauss. Pa kaluar asnjë vit nga ajo shfaqje historike, ai vizitoi për herë të parë vendin tonë e më vonë dhe dy herë të tjera. Ndër mjetet më efektive dhe me jehonë të diplomacisë ndërkombëtare të kulturës janë edhe olimpiadat ndërkombëtare kulturore, artistike, kinematografike apo koncerte të tilla tradicionale si ai i Vjenës që e përmendëm pak më lart. Po aq i rëndësishëm është edhe sporti, në të gjitha zhanret e tij, sidomos futbolli me magjinë e tij, por dhe tenisi, boksi, noti etj. Duke ia ndier “lezetin” këtyre formave aq efektive si dhe jehonës së tyre mediatike, edhe vendi ynë është organizator i disa evenimenteve të shquara të kësaj natyre. Kujtojmë festivalet e këngës, konkursin e bukurisë “Miss Shqipëria”, Festivalin e Filmit në Durrës, atë të Teatrit, Panairin Ndërkombëtar të Librit në Tiranë etj. Natyrisht që diplomacinë e kulturës e ushtrojnë edhe institucionet dhe organet përkatëse të kulturës, artit, sportit etj. Nga ana e saj, diplomacia zyrtare, krahas mbështetjes që ofron brenda dhe jashtë vendit, gjen dhe mbledh prej tyre, ashtu si dhe në rastin e performancës në Vjenë më 1 janar 2015, pamje, fakte, argumente dhe mundësi të shumta e të kapshme publike në drejtim të punës për përmirësimin e imazhit të vendit, nëpërmjet përhapjes dhe pasqyrimit të jehonës së vlerave dhe traditave më të mira të artit, kulturës dhe letërsisë sonë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: