Në një kohë kur po kërkohet shtrëngim i shpenzimeve operative në kushtet e krizës së çmimeve, ka agjenci shtetërore që po akordojnë tendera për shërbime luksi dhe duke shpallur fituese kompanitë me ofertat më të larta.

Kështu Agjencia e Kontrollit Ajror Albcontrol e drejtuar nga Hantin Bonati, ka vendosur të shpenzojë gati 850 milionë lekë për shërbimin e pastrimit të godinës për tre vjet. Fituese është shpallur oferta prej 791 milionë lekësh dhënë nga bashkimi i kompanive “Albstone” sh.p.k dhe “Sori-Al” shpk, e cila është renditur e pesta, pasi para saj janë oferta mjaft më ulëta me diferencë deri në 200 milionë lekë për të njëjtin shërbim.

Procedura ka zgjatur për disa muaj, fillimisht tenderi është shpallur në dhjetor të vitit që shkoi, gara është zhvilluar në 19 janar të këtij vit dhe 31 janar operatorët janë njoftuar për klasifikimin, Alpen Pulito ka ofruar 586 milionë lekë, Alko Impex General Contruction 598 milionë lekë, Clean Fast 709 milionë lekë, Dion Al 749 milionë lekë, Albstone dhe Sori-Al, 791 milion lekë dhe Pastrime Silvio 824 milion lekë, por ndërkohë të gjithë operatorët janë skualifikuar për mos përmbushje kriteresh.

Procedurat janë ndjekur me ankimime dhe në fund është shpallur fituese me vendim të komisionit të prokurimit publik oferta prej 791 milion lekësh e Albstone dhe Sori-Al. Nga ana tjetër Oferta 200 milion lekë më e leverdishme, është skualifikuar nga Albcontroll pasi nuk kompania nuk kishte një kontratë individuale pune me një mjek, po ashtu duhej të kishte jo më pak se 30 punonjës në tre muajt e fundit para shpalljes së tenderit. Ndërsa ofertat e tjera më të lira janë skualifikuar për mungesën e disa licencave. Fituesi për pastrimin e zyrave të Albocntroll është shpallur me 30 mars, në mesin e krizës së çmimeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb