Eksperti i çështjeve rajonale Ledion Krisafi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se Albin Kurti fitoi kaq shumë vota, për shkak se ai ka ruajtur imazhin e një njeriu të pakorruptuar.

Krisafi thekson se vota në Kosovë ishte për ndryshim të realitetit.

“Ishte fitore e madhe e Vetëvendosjes. Është hera e parë që një parti politike merr kaq shumë vota në Kosovë. Albin Kurti ka ruajtur imazhin e tij si njeri i pakorruptuar. Ndryshe nga Isa Mustafa dhe të tjerët që janë kontaminuar me akuza për korrupsion etj.

Kjo votë flet për dëshirën për ndryshim.  Kurti nuk është njollosur, por edhe dëshira për ndryshim ka luajtur rol. Plus kemi edhe një brez të gjatë në Kosovë, janë të njëjtët njerëz që bënë luftën, morën nga ç’mundën të marrin nga liderët që dolën nga UÇK-ja”, tha Krisafi.

Ledion Krisafi nënvizon se është shumë e vështirë që Haradinaj të bëhet president.

Të qenit shumë afër shumicës absolute, përgjegjësia është e madhe. Ka shumë mundësi që VV të bëjë koalicion me AAK-në. Çështja e presidentit është shumë më e komplikuar. Duhet të presim fillimisht votat e emigrantëve, por edhe duhet të presim votat e minoritetit, që janë partitë serbe. Do ishte shumë e vështirë që Haradinaj të jetë president, sepse do donte dikë që është më e afërt me Kurtin, mund të jetë Osmani prsh. Haradinaj president nuk është një figurë e re, e po të isha në vend të Kurtit, do zgjidhja figurë të re, sepse kështu ishte vota”, u shpreh Krisafi.

Më tej, Krisafi vlerësoi se Kosova ka nevojë që të përfundojë shtetësinë e saj.

“Ka mbi 13 vjet që diskutohet për statusin e Kosovës. Kosova ka nevojë për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të përfundojë procesi i shtetësisë së Kosovës. Duhet që edhe pjesa veriore e Kosovës të jetë brenda ligjeve të shtetit të Kosovës. Gjatë viteve të fundit, ka pasur tërheqje të njohjeve. Duhet të mbyllen hesapet me Serbinë. Kosova, që të shkojë në BE dhe në NATO, duhet të mbyllë dialogun me Serbinë”, deklaroi Krisafi.

Në fund, Krisafi u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet që të ndryshojnë për mirë.

“Marrëdhëniet e Kurtit dhe Ramës janë të ftohta. Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e Shqipërisë, kjo bën që të kemi konkurrencë politike. Fakti që VV merr pjesë në zgjedhje në Shqipëri, e bën koalicionin më të komplikuar, janë llogari fushate. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të ndryshojnë për mirë. Ndarja e politikës në dy kampe këtej dhe andej është problem, pork jo gjë nuk duhet të ndodhë”, përfundoi Krisafi.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb