Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, është arrestuar sot, pas kërcënimit që i ka bërë liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social.

Arrestimin e Hotit e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Policia e Kosovës ka trajtuar informacionin e publikuar ne rrjete sociale dhe sipas detyrës zyrtare ka ndërmarr veprimet konform autorizimeve ligjore duke trajtuar rastin si ‘shtytje në vrasje’. Të gjitha veprimet janë ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, personi i dyshuar është kërkuar dhe nuk është gjet në shtëpi, të njëjtit i është lënë ftesa për paraqitje të menjëhershme në polici dhe janë njoftuar të gjitha njësitet policore se kudo që takohet i njëjti të arrestohet”, ka deklaruar Hoxha, për Telegrafin.

“I dyshuari pas paraqitjes në polici me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura te mëtejme”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe anëtari i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, i cili ishte edhe kandidati për deputet nga kjo parti, të shtunën ka lëshuar një deklaratë të pamatur kundrejt kreut të LVV-së, Albin Kurti.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti ka thënë se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet, pasi sipas tij, nuk është interes i Kosovës që të jetë kryeministër.

Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Hotit, duke e quajtur kërcënim brutal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb