Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti përcolli mesazhin e tij ngushëllues në librin elektronik të ngushëllimeve të Ambasadës së Italisë në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Kurti shkruan se Papa Françesku do të mbahet mend si një udhëheqës i përulur, i mbushur me dashuri, dhembshuri dhe humanizëm social, dhe se ai e udhëhoqi Kishën Katolike me një zemër të hapur, me fjalë paqeje dhe vepra drejtësie dhe përkujdesjeje për të varfrit dhe të margjinalizuarit.

Teksti i plotë i ngushëllimit nga kryeministri Kurti

“Me pikëllim të madh mësova për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, vetëm një ditë pas të dielës së Pashkëve – ditës së ringjalljes dhe shpresës për mbarë botën e krishterë.

Papa Françesku do të mbahet mend si një bari i përulur, i gjallëruar nga dashuria, dhembshuria dhe humanizmi social. Ai e udhëhoqi kishën katolike me zemër të hapur, me fjalë paqeje dhe me akte drejtësie e përkujdesjeje për të varfrit dhe të margjinalizuarit.

Në këtë kohë zie, ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe bashkohem në lutje me gjithë komunitetin katolik të Kosovës, i cili ka qenë gjithmonë një shembull i besimit të qëndrueshëm dhe i përkushtimit shpirtëror.

Zoti e bekoftë Papa Françeskun dhe kujtimi i tij qoftë burim frymëzimi i përjetshëm për të gjithë ne.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb