Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kishte komentuar flamurin shtetëror të Kosovës, duke e quajtur si flamur që s’ka kurrfarë të kaluare dhe se nuk do ta valviste kurrë.

Kurti kishte deklaruar se flamuri i Kosovës i ka ngjyrat e flamurit të Bosnjes dhe ngjyra e kaltër e bën flamur të ujit dhe jo të gjakut sikur ai shqiptar, shkruan Gazeta Express.

“Një flamur përplot histori dhe një flamur i cili s’ka kurrfarë të kaluare. Është interesant që flamuri i Kosovës u pa për herë të parë në momentin kur u miratua në Kuvendin e Kosovës pikërisht me 17 shkurt kur u shpall pavarësia. Është një flamur i cili i ka ngjyrat e flamurit të Bosnjes, një flamur i cili i përngjan flamurit të Qipros e ka hartën në mes, e cila funksionon si një lloj kompensimi psikologjik që qytetarët njëmend mendojnë se kështu është Kosova por realiteti në terren është ndryshe, veriu dhe pjesët e tjera mbesin të ndara dhe për më tepër është një flamur i cili jo vetëm i ndryshëm por i kundërt me flamurin shqiptar në kuptimin që ai është flamur i gjakut kurse ky është flamur i ujit e kaltra dhe siç thotë populli ynë gjaku ujë s’bëhet. Tjetra është që këta yje janë të bardhë dhe në këtë mënyrë ngjajnë si yje të natës do të thotë si yje të territ dhe ky flamur nuk është përbrendësuar nga populli në Kosovë, përshkak se flamuri shqiptar ai lidhet me historinë me vuajtjet e përbashkëta me kryengritjet, luftrat dhe si i tillë dominon gjithandej”, kishte thënë fituesi i zgjedhjeve të së dielës në Kosovë.

Ai më tej thoshte se flamuri i Kosovës është flamur i konkurseve dhe s’ka histori.
“Ky është një flamur i bërë me konkurs pra nuk është flamur i cili është rezultat i një histori i një gjakimi të përbashkët por është flamur burokratik, konjuktural”, kishte thënë ai duke shtuar se nuk do ta tundte atë kurrë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb