Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se çështja e të pagjeturve nga koha e luftës është një plagë e hapur dhe se “është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë”.

Kurti tha se krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb. Ai i bëri komentet në një takim me drejtorin rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Martin Schuepp.

Kurti tha se Qeveria e tij i jep prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të tyre dhe vendosjes së drejtësisë.

Schuepp, në anën tjetër, tha se është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës, t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse, sipas tij, mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë. Gërmimet e fundit janë bërë muajin e kaluar në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.
Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve, Ibrahim Makolli, ka thënë në atë rast se hapja e arkivave ushtarake dhe policore në Serbi mund të ndihmojë në identifikimin e varrezave të tjera masive në Serbi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb