KOSOVË

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e sotme.  Ai tha se nga nesër do të nisë punën për formimin e qeverisë, ndërsa u zotua para mediave se do të punojë fort për vendosjen e shtetit të Kosovës në binarët e drejtësisë.

“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve. Pjesëmarrja masive bëri që ne ta vërtetojmë atë që e thamë në mëngjes. E shpëtuam Republikën nga kapja e shtetit. Çka ka ndodhur sot është një ndërhyrje e popullit tonë në skenën politike në mënyrë që drama të përfundojë, në këtë mënyrë ata e shpëtuan shtetin nga politikanët. Sot do të jemi në festë në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa prej nesër do të vijojmë me formimin e qeverisë, e cila do ta vendosë Kosovën në binarët e drejtësisë. Ne do të forcojmë shtetin tonë dhe do ta zvogëlojmë  qeverinë, prandaj do shihni më  pak pushtet dhe më shumë shtet”-tha mes tjerash, Albin Kurti, ndërsa iu bashku simpatizantëve të VV-së në podiumin e festës, i cili është ngritur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: