Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se veprimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të votuar në zgjedhjet në Shqipëri ka një konotacion të fortë politik dhe se ajo do të donte të bisedojë me Kurtin për motivet e tij për një gjest të tillë.

Pavarësisht kësaj, Von Cramon ka thënë se nuk mendon se ky veprim i Kurtit do të ketë pasoja më serioze për vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një deklaratë për gazetën serbe “Danas”, raportuesja për Kosovën deklaroi se ajo vetëm mund të konfirmojë atë që tashmë e kishte thënë lidhur me votimin e Kurtit në zgjedhjet në Shqipëri, se ajo nuk ishte dakord me një veprim të tillë. Ajo nuk e sheh mundësinë e reagimit zyrtar për këtë çështje, por thekson se me dëshirë do të fliste me Kryeministrin e Kosovës për motivet e tij lidhur me dërgimin e një mesazhi të tillë.

“Veprimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të votuar në zgjedhjet në Shqipëri ka një konotacion të fortë politik sepse ai nuk është një qytetar i zakonshëm me dy shtetësi. Sipas mendimit tim, nëse Kryeministri i një vendi voton në një vend fqinj, nuk i kontribuon stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Nëse do të kem rast, do të doja të diskutoja me Kurtin cilat ishin motivet e tij për këtë veprim. Unë nuk mendoj se votimi Kurtit do të reflektojë në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, por është e qartë se ne nuk mund të zbatojmë standarde të dyfishta për çështjen e shtetësisë së dyfishtë për serbët e Kosovës dhe shqiptarët nga Kosova”, -theksoi Von Cramon.

Të përkujtojmë se kritika e Von Cramon drejtuar publikisht Kryeministrit të Kosovës lidhur me votimin e tij në zgjedhjet e Shqipërisë ishte njëra nga reagimet e para të tilla të ashpra të raportueses në PE për Kosovën ndaj zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës sot ka udhëtuar në Bruksel ku do të takohet me zyrtarët e BE-së për vazhdimin e dialogut me Serbinë, menjëherë pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte gjithashtu në Bruksel, ku pati takime me zyrtarët e lartë të BE-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb