Plot mistere është shpirti njerëzor. Prandaj, vazhdimisht lindin pyetje madje të llojit enigmë. Bie fjala, pse ndodh që të jesh mes njerëzish dhe prapëseprapë të ndihesh vetëm? Por pse ndodh edhe e kundërta, të jesh vetëm dhe të ndihesh me njerëz?

Vetëm jam në studio, por ndihem me lexuesit. E kështu, sikur u dha një përgjigje, qenka vala shpirtërore që tejkalon distancat. Prandaj po e nis me një përshëndetje, pasi jam i vetëdijshëm, izolimi fizik nga pandemia për të gjithë është një razbitje e padëshirueshme. Por është gjithashtu një provë. Një provë e fortë kur, i mësuar të jetojë si qenie sociale, njeriu kupton njëkohësisht sa është edhe individ, pra, sa është gjithashtu i vetëmjaftueshëm.

U tha edhe kjo, e po më tej, ç‘mund të bëjmë tani?!

Tani kam një propozim. Veçse në këto çaste hiqeni celularin nga dora. E di, me pak butona mund të gjezdisni dynjanë. Brenda sekondës hyni në albumin dixhital të fotografive dhe shihni me radhë njerëzit e zemrës, të cilët tashmë i keni larg. Por, kësaj here, le të provojmë atë teknologjinë tjetër, dhuratën hyjnore që Zoti na e ka falur bujarisht. E kështu, pra, filloni të përfytyroni një nga njerëzit tuaj më të dashur, plotësojani dalëngadalë portretin, duke sjellë ndërmend çdo tipar e çdo hollësi të tij. Mos u nxitoni, ju duhet të prisni ca. Nëpërmjet laboratorit natyror të trurit, fotografia po fillon t’ju shfaqet dalëngadalë, fragment pas fragmenti… Mirëpo, ju po merakoseni. E përse, e përse?! Ju shfaqet bardhë e zi dhe me një si tis të mjegulluar? Ah, jo, mos fajësoni as filmin, as laboratorin. Sepse nuk është mjegull. Është afshi i mallit tuaj që i bie përsipër, prandaj edhe ndieni një drithmë në gjak.

Kujdes, ama, sapo drithma të ketë kaluar dhe të qetësoheni disi, mos harroni: Ruajeni diku në shtresat aktive të kujtesës këtë foto. Më pas po, më pas mund të sillni ndërmend një tjetër njeri të shtrenjtë për jetën tuaj, sepse tashmë ju po ripërtërini dhe po riformatoni Albumin e Kujtesës.

Në tërësinë kozmike, ky lëmshi ynë i Tokës është vetëm një ishull i vockël, fare i vockël, sa një thërrime rëre. E megjithatë, çdo banor i popullit miliardësh të botës e gjen shpejt derën e shtëpisë së vet. Mos, vallë, pikërisht pse disa vatra të trurit nuk i lëmë të na mpihen, duke i mbajtur zgjuar çdo ditë?!… Ah, desh harrova diçka të vogël! Shpresoj, më falni për mungesën e modestisë, por shpresoj se ndokush mund të më ketë përfytyruar edhe mua.

-II

Isha duke lexuar në ballkon dhe, kur i pashë ata, sapo kisha përfunduar një frazë. Fraza ishte: Heraclides Ponti rrëfen me admirim të madh se Pitagora mbante mend të kish qenë Pirroja dhe para tij Euphorbi dhe ca më përpara një tjetër vdekatar… S’di pse, pa ua ndarë sytë, u ngrita në këmbë. Ata ishin tre. Një burrë, një grua, një fëmijë në karrocë. Dhe kur u afruan, prapë nuk e prishën formacionin. Gruaja ecte, shtynte karrocën dhe fliste gjithë ëmbëlsi me të shoqin. Burri i gjatë e kishte nxjerrë më të djathtë. Vura re se nga bërryli e poshtë atij i mungonte pjesa e krahut të majtë. Por pëllëmbën e krahut tjetër e kishte mbështetur në supin e së shoqes. Çfarë bisedonin nuk i dëgjoja, veçse ai i përgjigjej plot përzemërsi.

Në rrugicën e ngushtë u desh të ndaleshin disa herë, duke u hequr mënjanë. I parakaloi një biçikletë me zile. Pastaj ca këmbësorë të nxituar. Pastaj një motor picerie që gumëzhinte si grerëz e kuqe. Megjithatë, kur morën kthesën, ishin ende në atë formacion të lidhur. Formacion tresh. Një fëmijë në karrocë, një grua që e shtynte, një burrë që i mungonte gjysma e një krahu, por pëllëmbën tjetër e kishte mbështetur në supin e së shoqes. Më dhanë në çast përqasjen e trekëndëshit. Hipotenuza ishte burri, kateti i shkurtër fëmija, ndërsa baza… Baza ishte gruaja.

A ndikoi në këtë përfytyrim fakti që e kisha lënë leximin pikërisht te korifeu i trekëndëshave? O i famshmi Pitagora, ja ku ngec teoria jote e përbotshme! Më vjen keq, por kjo sipërfaqe metafizike nuk mund të matet me formula gjeometrike. Veçse, as ti, Zonjë e panjohur, nuk ke për ta marrë vesh kurrë se Zija Çela të ka xhan. Siç nuk kam për ta ditur unë misterin e fshehtë të trekëndëshit tuaj, sepse atë vetëm ti, vetëm ti, e zotëron. Dhe mos ma thuaj, mos, se është njëlloj si të shoh Zotin e pastaj të vdes.

-III

E kam thënë, Djalli e merr përsipër atë që bën, sepse e ka të shpallur qëllimin njëherë e përgjithmonë.

Kur hyn në marrëdhënie me njeriun, hyn me bonus të gatshëm: “Ti bëje këtë, se unë të jap atë!”. Dhe gjen pikën më të dobët. Në një çast të caktuar, për shembull, njeriu ndien t’i zuzullojnë veshët, pastaj sikur dëgjon një zë të mistershëm, që ia bën sedrën fërtele:

“Ama, po habitem me ty! Nuk të kisha ditur kaq strikt, as kaq frikacak e qullac pa cak! E si, si e duron ndjenjën e shtypjes në këtë hapësirë kaq të kufizuar, që të jep ankth e depresion?! Pse, çfarë i pandeh zotrote, budallenj i pandeh trimoshat që thyejnë rregullat e karantinës?! Ata nuk duan të zënë myk në shtëpi, mor kopuk, nuk – nuk, nuk duan t’u kalben në kolltuk!… Dil pra, mos u bëj teveqel! Nëse dëshiron t’i shpëtosh stresit çmendurak të izolimit, dil në rrugë sapo të shkrepet dhe sa herë që të teket!”

Është ‘Djalli’, ky kodosh i përbotshëm, që ta zbraz në tru këtë ngashënjim. Dhe, për të qenë objektiv, ai di ta joshë edhe arsyen e shëndoshë. Sepse, në pamje të parë, të rren mendja se zgjedhje të tilla kleringu janë dukshëm me përfitim

Por në të njëjtin çast ekziston një zgjedhje tjetër, duke pyetur veten: “Çfarë është ajo që Djalli ma jepka me kusht dhe Zoti nuk ma jepka falas?”. Djalli vërtet është kozmik, por Njeriu është racional, krijesë me mundësinë për të qenë superior ndaj tij. Prandaj, njeriu nuk ka përse të ankohet aq shpesh me vonesë: “Boboo, çfarë bëra!”, dhe të mos frenohet në kohën e duhur, duke shkundur veten me logjikën: “Përse, përse ta bëj?!”. Çka mund të lakohet pafundësisht: Përse të përdor ndaj të tjerëve një gjuhë me thonj; përse të vjedh e të mashtroj; përse të vë dorë mbi gruan; përse t’i bëj prindërit haram dhe mizorisht t’i braktis në moshë të shtyrë; përse me vlon në shpirt zilia e zezë; përse të korruptohem e moralisht të shëmtohem; përse të mos dëshmoj bujari ndaj njerëzve në nevojë; përse të abuzoj duke qenë pushtetar për t’u sjellë pastaj si totalitar; përse të bëj të atillë opozitë sikur kundërshtarit dua t’i nxjerr sytë; përse të më mungoj mirësia dhe empatia; përse të mos e bëj hajmali atë që quhet dashuri, dashuni, Dashni Njerëzore?!…

Zoti nuk lë boshllëk. Boshllëkun, që e mbush Djalli, e krijon njeriu me zgjedhjet e tij të gabuara/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: