Nga SHABAN MURATI
Letra e përbashkët, që ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë i dërguan sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg,për të cilën njoftonte radio “Zëri i Amerikës” në 16 shkurt, shënon një hap me rëndësi në historinë diplomatike të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në atë të rajonit. Mund të thuhet se mekanizmi i një aleance të re të një partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe Kroacisë ka nisur të funksionojë. Letra e përbashkët e ministrave të Mbrojtjes të të dy vendeve vjen pas afishimit zyrtar të një konceptimi të ri dhe impostimi të ri të marrëdhënieve midis dy vendeve në një nivel partneriteti strategjik. Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Davor Ivo Stier, në datën 9 shkurt, në një konferencë shtypi pas bisedimeve në Zagreb me homologun e vet shqiptar, deklaroi: “Ajo që dua të theksoj, është diçka, që e kemi konfirmuar sot: Partneriteti ynë ka një karakter strategjik. Ne do të përgatisim një marrëveshje të veçantë dypalëshe për sa i përket këtij partneriteti strategjik”.
Jo rastësisht akti i parë i një rrugëtimi strategjik të përbashkët është letra e përbashkët e dy ministrave të Mbrojtjes, drejtuar Aleancës Atlantike, dhe jo rastësisht tematika e letrës ka të bëjë me tensionet e reja, që po vijnë në rajon në drejtim të stabilitetit dhe sigurisë nga shtete dhe forca anti-atlantike dhe anti-perëndimore. Ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe të Kroacisë i kanë kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s “që të rishikohet Plani Operacional i misionit paqeruajtës në Kosovë pas zhvillimeve të fundit atje”. Të dy ministrat “dënojnë retorikën nacionaliste nga politikanë serbë dhe veprimet konkrete në kufi, për të cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe destabilizuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”. Dy ministrat kanë mbështetur dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).
Është koha më e përshtatshme dhe tematika më e përshtatshme për të adoptuar konceptin e partneritetit të ri strategjik në rajon midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Nuk është sekret, që duhet mbajtur i fshehtë, se Kroacia dhe Shqipëria po ndjejnë bashkërisht erërat e kërcënimeve, që po konturohen nga Serbia dhe Rusia ndaj vendeve anëtare të NATO-s, dhe sidomos ndaj dy shteteve, të cilat përkufizohen nga Serbia si dy pengesat kryesore për realizimin e hegjemonisë së saj në Ballkan. Është koha e një agresiviteti të shtuar serb ndaj Kosovës, ndaj Kroacisë dhe ndaj Shqipërisë, agresivitet që është rritur në katër muajt e fundit nën iluzionet e pabazuara serbe dhe ruse se me ndërrimin e administratës në Shtëpinë e Bardhë do të ketë tërheqje amerikane dhe atlantike nga Ballkani dhe Rusia e Serbia do të kenë duart e lira të mbushin vakumin e krijuar. Është një iluzion strategjik, të cilin e përgënjeshtroi qartë mbledhja e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në 16 shkurt në Bruksel. Është një iluzion diplomatik, të cilin e përgënjeshtroi pa ekuivok edhe zyrtari i lartë amerikan, Metju Palmer, drejtor për Europën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, gjatë një vizite zyrtare në Beograd në 12 shkurt. I pyetur për deklaratën e sekretarit amerikan të mbrojtjes, Xhejms Matis, gjatë seancës dëgjimore në Senat se: “Forcave të sigurisë së Kosovës u duhet mundësuar që të jenë përgjegjëse për sigurinë në vend dhe mbrojtjen e territorit të tyre”, dhe se kjo deklaratë është interpretuar si mbështetje direkte, që po fiton Prishtina nga Amerika pas zgjedhjes së Donald Trampit, drejtori i Departamentit të Shtetit, Metju Palmer, deklaroi në Beograd:
«Unë këtë deklaratë do ta vlerësoja si plotësisht konsistente me politikën e vendosur të Amerikës në lidhje me Kosovën. Punoj prej një kohe të gjatë në Ballkan dhe politika amerikane e SHBA-ve ndaj rajonit nuk ka ndryshuar gjatë 20-25 viteve të kaluara, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në administratë në Uashington, demokratët apo republikanët. Kjo, sepse politika amerikane bazohet në interesat amerikane dhe në vlerat amerikane, dhe këto interesa dhe vlera nuk ndryshojnë me ndryshimin e administratës. Për këtë do të thosha se në këtë rast kemi të bëjmë më shumë me konseguencë të diplomacisë tonë, se sa me ndryshim, dhe me këtë edhe konseguencë në lidhje me Ballkanin. Nuk kam arsye të mendoj se ka diçka ndryshe sot, se sa ka pas qenë, le të themi, para dy muajsh».
Ky dush i ftohtë diplomatik, me sa duket në vend ta qetësonte e ka acaruar edhe më shumë diplomacinë serbe dhe ruse, që gabimisht menduan se erdhi rasti i artë i vërshimit dhe i influencës së tyre në të gjithë rajonin. Në rajon vazhdon të kristalizohet një tensionim i qëllimshëm i marrëdhënieve të Serbisë me kombin kroat dhe me kombin shqiptar, si dhe një përgatitje serbe për kërcënime fizike ndaj interesave të vendeve anëtare të NATO-s, dhe më konkretisht ndaj Kroacisë dhe Shqipërisë. Ky rrezik serb prodhon nevojën, që përveç kuadrit atlantik të përballimit, të ketë edhe një kuadër dypalësh kroato-shqiptar të mobilizimit diplomatik, gjeopolitik dhe strategjik nga ana e të dy shteteve tona.
Është një apdetim i nevojshëm strategjik, i imponuar nga rrethanat dhe dinamika gjeopolitike aktuale e rajonit. Është një zhvillim pozitiv, që reflekton një lëvizje pozitive të diplomacisë për t’iu përshtatur me vizion realist rrethanave në lëvizje, faktorëve të befasishëm dhe koniukturave të reja rajonale.
Qysh para disa viteve, në funksionin tim në sistemin e shërbimit të jashtëm, u kam propozuar autoriteve zyrtare riformatimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kroacisë në një këndvështrim strategjik. Konceptimi i ri i marrëdhënieve dypalëshe është sugjeruar duke u bazuar në disa elemente të reja të zhvillimeve rajonale dhe jashtë rajonale, të cilat preknin interesat e Shqipërisë dhe të Kroacisë, dhe që i ekspozonin dy vendet tona përballë formave të reja të burimeve të rreziqeve, që u vinin nga lindja.
Momenti i parë është marrëveshja e partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Serbisë, e nënshkruar në maj të vitit 2013, dhe ku Serbia angazhohet të vihet në shërbim të strategjisë dhe të influencës ruse në rajon, dhe në këtë kuadër Rusia ofron mbështetjen për një rol hegjemon të Serbisë në Ballkan. Momenti i dytë është agresioni rus në Ukrainë dhe aneksimi i dhunshëm i Krimesë nga forcat ruse, duke inauguruar gjeopolitikën e re ruse të ndryshimit të kufijve me forcë në Europë. Kriza ukrainase, përveç atentatit në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe europiane, pati si pasojë një rritje të menjëhershme të tensioneve në Ballkan dhe një intensifikim të paparë të ndërhyrjes së Moskës në punët e brendshme të rajonit. Në këtë strategji ruse të tensioneve, pas krizës ukrainase evidentohet roli i posaçëm i Serbisë si instrument i këtij tensionimi rajonal dhe si bazë logjistike e formave të ndryshme të ndërhyrjes ruse në rajon, që nga krizat politike si ato në Maqedoni, zgjedhjet si ato në Bullgari e deri te përpjekjet për grusht shteti në Mal të Zi për të ndaluar me dhunë anëtarësimin e atij shteti në NATO.
Fillimi i vitit 2017 shënoi një shtrirje dhe intensitet të ri të tensioneve të provokuara nga Serbia dhe Rusia në drejtim të disa vendeve të rajonit. Konstatohet një armatosje e ethshme dhe me karakter të qartë ofensiv e Serbisë me armë ruse. Në Beograd bëhet publike se armatosja me armët më të sofistikuara dhe me raketat e Rusisë ka në objektiv kombin kroat dhe kombin shqiptar. Në doktrinën serbe të sigurisë, sipas burimeve diplomatike, është e përkufizuar se Serbia konsideron si rrezik të interesave të saj kombin kroat dhe kombin shqiptar. Ka një kurs të qartë të Beogradit për tensionimin konstant të marrëdhënieve me Kroacinë, me Kosovën, edhe me Shqipërinë. Në datën 13 shkurt ministria e Jashtme e Serbisë lëshoi një deklaratë, ku njofton se ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, ka vendosur të anulojë pjesëmarrjen e tij në konferencën e ministrave të Jashtëm të SEECP, që do të zhvillohet në Zagreb në datën 3 mars 2017. Preteksti i ministrit serb është absurd, sepse ka të bëjë me imponimin që Serbia kërkon t’i bëjë Kroacisë për revizionimin dhe për një lexim serb të historisë kroate.
Nga ana e saj Shqipëria po përballet me një acarim intensiv të qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës, pra ndaj kombit shqiptar, dhe Beogradi me një strategji provokimesh po zhvleftëson me dashje mekanizmin e dialogut dhe të normalizimit të marrëdhënieve, të ngritur dhe të zhvilluar me ndërmjetësimin e BE.
Shqipëria duhet të ketë konstatuar se gjatë gjithë periudhës së pas krizës ukrainase, Serbia nuk ka demonstruar as seriozisht dhe as formalisht, as dëshirën dhe as gatishmërinë për të ndërtuar raporte reale bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me Kosovën dhe me Shqipërinë. Tre vitet e fundit treguan qartë se pritshmëritë jorealiste, që lindën në disa qarqe në Tiranë për “bumin” në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, nuk u realizuan as në minimumet e tyre. Nuk u realizuan, sepse ishin pritshmëri jo realiste dhe të fryra nga lobet serbe në Tiranë dhe në Prishtinë, të aktivizuar për të vënë në gjumë memorien shtetërore dhe ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Lobet serbe në Tiranë kanë qenë një pengesë e madhe për krijimin e një raporti të ri cilësor në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Edhe pas anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë njëkohësisht në NATO, në vitin 2009, edhe pas anëtarësimit të Kroacisë në BE në vitin 2013, kur ishin pjekur kushtet e një kualiteti të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve, nuk ndodhi ndryshimi, sepse presioni i lobit serb mbi Tiranën ka qenë impresiv. Nga burime dhe nga kontaktet e mia diplomatike kam konstatuar se edhe pala kroate ka qenë disi nguruese dhe mosbesuese për një kohë të gjatë ndaj Shqipërisë për shkak të informacioneve të saj mbi ndikimin e lobit serb në Tiranë.
Tani kemi një situatë te re dhe një lëvizje të përbashkët në rrugën e duhur, reciprokisht të nevojshme strategjike. Realitetet aktuale të kërcënimeve të reja rajonale duhet të kenë kthjelluar vendimmarrësit në të dy kryeqytetet përkatëse. Një rol thuhet të ketë pasur në këtë drejtim edhe NATO.
Partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe Kroacisë është një dobi gjeopolitike dypalëshe. Është një nevojë reciproke, sepse të dy shtete janë anëtarë të NATO-s dhe të obliguara nga Traktati themelues i Aleancës Atlantike, që duhet të jenë në një llogore, nëse njeri prej tyre sulmohet nga një palë e tretë. Shqipëria dhe Kroacia nuk kanë asnjë problem historik apo aktual midis tyre. Kroacia nuk ka troje shqiptare brenda kufijve të saj. Shqipëria dhe Kroacia kërcënohen të dyja nga agresiviteti dhe ekspansionizmi serb. Partneriteti midis Shqipërisë dhe Kroacisë është, gjithashtu, një nevojë rajonale. Stabiliteti dhe siguria në rajon kanë nevojë për kontributin e përbashkët të vendeve të NATO-s dhe NATO është garancia e vetme e stabilitetit dhe e sigurisë përballë diversionit dhe intrigave gjeopolitike të Rusisë dhe të instrumentit të saj ballkanik, Serbisë. Shqipëria dhe Kroacia janë dy shtete anëtare të NATO-s në detin Adriatik dhe partneriteti i tyre i ri strategjik merr një rëndësi të veçantë në pellgun e Adriatikut.
Aleanca midis Shqipërisë dhe Kroacisë duhet të zhvillohet dhe të konkretizohet me mekanizma dhe forma të reja, të cilat do ta konsolidojnë dhe do ta bëjnë më efektive dhe më siguruese për interesat jetike të të dy shteteve.

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: