NGA: SHABAN MURATI*
Në shumë qarqe diplomatike dhe analitike mesdhetare po zhbirojnë me intensitet për të kuptuar se cili mund të jetë emëruesi i përbashkët dhe interesi lidhës i krijimit të një aleance të re në Mesdheun Lindor, të cilën ish-ambasadori i Izraelit në Athinë në vitet 2010-2014, Arye Mekel, në 31 janar e klasifikoi “bllok i ri gjeopolitik”. Si datë e krijimit apo e startit zyrtar të këtij blloku të ri gjeopolitik u shpall samiti i parë trepalësh, që u mbajt në Nikosia në 28 janar 2016, midis kryeministrit grek Aleksis Cipras, presidentit qipriot Nikos Anastasiades dhe kryeministrit izraelit Beniamin Netaniahu. Ajo që e vështirëson analizën për “pse-të” e këtij blloku të ri gjeopolitik midis tri shteteve të mësipërme, është fakti se atij i mungon homogjeniteti apo boshti gjeografik, i cili është kushti i parë për të krijuar aleanca dhe blloqe midis shteteve të vogla si tri të mësipërmet. Greqia ndodhet në Ballkan, Qiproja një ishull në mes të detit Mesdhe dhe Izraeli një shtet në Lindjen e Mesme. Mungesa e elementit kontinuitiv gjeografik do të thotë se ato nuk janë shtete fqinje, dhe do të thotë gjithashtu se nuk kanë as ndonjë bazë historike për të përligjur krijimin e një blloku gjeopolitik.

Vetëm shtetet e mëdha mund të krijojnë aleanca gjeopolitike me shtete të tjera të vogla në distanca të mëdha gjeografike, si për shembull SHBA-të me Korenë e Jugut apo Rusia me Sirinë. Në samitin e mbajtur në Nikosia, kryeministri izraelit Netaniahu u përpoq të paraqiste një bazë ideologjike apo morale të përbashkët të krijimit të këtij blloku gjeopolitik, kur deklaroi se: “Ne jemi tre demokraci në Mesdheun Lindor dhe ne ndajmë bashkë idetë e pluralizmit, diversitetit, zgjidhjeve, debatit, demokracitë, dhe kjo formon një bosht imediat të miqësisë”. Natyrisht, është tepër e lehtë për të kuptuar, përtej retorikës, se këto elemente as nuk përligjin dhe as të bindin për krijimin e një blloku gjeopolitik trepalësh. Të gjithë e kanë të qartë se lidhjet dhe aleancat gjeopolitike nuk krijohen për hir të parimeve morale të shkencës së etikës. Në pikënisjen e vet para pesë vitesh, bashkëpunimi Greqi-Qipro-Izrael u shfaq si një interes dhe objektiv energjetik, dhe kjo pa dyshim jep një bazë për partneritet strategjik ekonomik dhe energjetik. Zbulimet e pellgjeve të gazit natyror në zonat detare të Izraelit dhe të Qipros u paraqitën si motiv i nxitjes së një afrimi të shpejtë dhe bashkëpunimi midis tri shteteve në fushën energjetike. Në samitin e Nikosias, tre krerët vendosën krijimin e një komiteti trepalësh për të studiuar planet e ndërtimit të një gazsjellësi, që mund të transportojë gazin natyror izraelit nëpërmjet Qipros në Greqi dhe pastaj në konsumatorë të tjerë europianë.

Mirëpo projekti i një gazsjellësi Izrael-Qipro-Greqi nuk është aq i lehtë për t’u realizuar sa ç’mund të duket në pamje të parë. Në radhë të parë, ai nuk ka leverdi, sepse është tepër i shtrenjtë, dhe tani për tani kostoja i vlerësohet në 15 miliardë dollarë, gjë që po të mbahet parasysh gjendja katastrofike financiare e Greqisë dhe e Qipros, të mbytura në borxhe, e bën të duket si një projekt kozmik. Projekti trepalësh i kësaj aleance është tepër në disavantazh në krahasim me projektin e diskutuar të një gazsjellësi Izrael-Turqi-Europë për të transportuar gazin natyror izraelit nëpërmjet territorit tokësor të Turqisë, që ka një kosto prej 2 miliardë dollarësh. Por edhe vetë gazi i Qipros, është më praktike dhe më e sigurt të transportohet nëpërmjet Turqisë, sesa të ndërtohet gazsjellës nëpër detin Mesdhe për në Greqi. Distanca midis Qipros dhe Greqisë është 850 kilometra, ndërsa distanca midis Qipros dhe Turqisë është 70 kilometra. Deti midis Qipros dhe Greqisë ka një thellësi prej dy kilometrash. Shfrytëzimi i pellgjeve të gazit natyror të Izraelit dhe të Qipros nuk është i lehtë as juridikisht, sepse zbulimi i tyre ka krijuar konflikte midis shteteve të rajonit për sa u përket kufijve detarë të zonave gazmbajtëse. Konflikte ekzistojnë për këtë çështje midis Izraelit dhe Libanit, por edhe midis Turqisë dhe Qipros, sepse realiteti i një Qiproje të ndarë në dy pjesë i heq bazën ligjore Nikosias për të shfrytëzuar rezervat e gazit vetëm për dobinë e qipriotëve grekë.

Bashkëpunimi energjetik mund të shtyjë apo motivojë planet për një partneritet strategjik ekonomik dhe energjetik, por nuk mund të përligjë një aleancë gjeopolitike midis tri shteteve, që nuk i përkasin një rajoni dhe as janë shtete kufitare. Dyshimet i shton më tepër tendenca për t’i dhënë kësaj aleance një dimension ushtarak, dhe siç pohon ish-ambasadori izraelit në Athinë, blloku gjeopolitik trepalësh ka edhe domethënie ushtarake dhe sigurie. Nga deklarimet e udhëheqësve të tri qeverive rezulton se ky dimension ushtarak i bllokut gjeopolitik Greqi-Qipro-Izrael nuk drejtohet as kundër Rusisë, as kundër regjimit të Asadit dhe as kundër ISIS-it. Analiza e koniukturave, lëvizjeve, prirjeve, efekteve, manovrimeve diplomatike dhe strategjike në rajonin e Mesdheut, evidenton se të tria qeveritë, në krijimin e një blloku gjeopolitik të përbashkët janë nisur nga marrëdhëniet e tyre të acaruara me Turqinë, ose për t’u shprehur më qartë, nga paragjykimi emotiv antiturk i politikave të tyre të jashtme. Të ndërmarrësh krijimin e një blloku gjeopolitik do të thotë që të bashkohesh për mbrojtjen nga një kërcënim i përbashkët ose për kundërvënien ndaj atij, që mund të konsiderohet prej tyre si një armik i përbashkët. Llogaritë, që bëjnë secila qeveri e këtij blloku gjeopolitik, janë të lexueshme. Greqia, duke marrë pjesë dhe nxitur krijimin e një boshti gjeopolitik të tri shteteve, mendon se mund të krijojë një instrument presioni mbi Turqinë dhe të sigurojë pozita më të favorshme biseduese me Ankaranë, lidhur me konfliktet që dy shtetet kanë, që nga Egjeu e deri te çështja e Qipros.

Qeveria e Anastasiades, nga ana e saj mendon se nëpërmjet këtij blloku të ri gjeopolitik do të mund t’i bëjë presion më të madh Ankarasë për të lëshuar në lidhje me formulat e propozuara për zgjidhjen e çështjes afër gjysmëshekullore të ndarjes së Qipros. Qeveria e Netaniahut nga ana e saj mendon se nëpërmjet këtij blloku gjeopolitik të krijuar me dy rivalë historikë të Turqisë do t’i bëjë presion më të madh Ankarasë për të bërë lëshime në tryezën aktuale të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Turqisë. Të gjitha nuk duken llogari të bëra në një sens realist. Që blloku i ri gjeopolitik Greqi-Qipro- Izrael ka një prapavijë antiturke, kjo pohohet nga vetë protagonistët. Ambasadori izraelit Arye Mekel shkruan se: “Marrëdhëniet e ngushta me Greqinë dhe Qipron kundërbalancojnë Turqinë”. Eran Lerman, zëvendësdrejtor në Këshillin e Sigurimit Kombëtar për politikën e jashtme, shkruan në “Jerusalem Post” në 4 shkurt se: “Është e rëndësishme që aleanca Izrael-Greqi-Qipro kërkon të bllokojë ambiciet e Turqisë për hegjemoni rajonale”. Vetë ideja e kësaj aleance dhe afrimet e shpejtuara midis tri qeverive nisën menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve midis Turqisë dhe Izraelit në vitin 2010, për shkak të sulmit të armatosur që forcat speciale izraelite ndërmorën në ujërat ndërkombëtare kundër një karvani anijesh me ndihma humanitare për Rripin e Gazës, duke vrarë dhjetë qytetarë turq. Profesori i Universitetit të Kretës, Andreas Stergiu, e thekson se, që kur marrëdhëniet Turqi-Izrael u bënë të ftohta, Greqia, Izraeli dhe Qipro lëvizën më afër ndaj një marrëdhënieje të paprecedent politike, energjetike dhe ushtarake.

Pyetja themelore që shtrohet është nëse mjafton ky element emotiv i predispozicionit antiturk për të përligjur krijimin e një blloku të ri gjeopolitik në Mesdheun Lindor në këto kohëra të trazuara të rritjes së rrezikut rus në shkallë ndërkombëtare. Një analizë e ftohtë e marrëdhënieve dypalëshe në rajon, e marrëdhënieve rajonale dhe e zhvillimeve të fundit negative në Lindjen e Mesme dhe në Mesdhe, të çon te gjykimi se krijimi i një blloku të tillë gjeopolitik shkon përtej parametrave të realizmit. Së pari, Turqia, një shtet nga më të rëndësishmit e NATO-s, është një fuqi rajonale, e cila nuk mund të diktohet dhe as të tërhiqet nga ndonjë presion i këtij blloku të ri gjeopolitik të tri shteteve të vogla. Turqia është një forcë e fuqishme rajonale, e cila e ka fuqinë nga vetja e saj dhe nuk është si Izraeli, që fuqinë rajonale dhe peshën e vet rajonale e ka nga aleanca me SHBA-të. Çfarëdo llogarie përfitimi të përkohshëm që mund të bëjnë në Tel Aviv, është e qartë se as Greqia dhe as Qiproja nuk i zëvendësojnë dot thellësinë strategjike, nevojat dhe interesin strategjik të Izraelit për marrëdhënie dhe bashkëpunim të ngushtë me Turqinë, siç e kishin përpara vitit 2010.

Entuziazmi diplomatik i Greqisë për krijimin e këtij blloku, duke dërguar dy herë brenda dy muajve kryeministrin Cipras në Izrael dhe tri herë ministrin e saj të Mbrojtjes, vështirë të pranohet si logjikë reale shtetërore dhe as dashuri me shikim të parë për Izraelin. Greqia i ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në vitin 1991, pra 43 vjet pas krijimit të shtetit izraelit, dhe u deshën 20 vjet që kryeministri i parë grek dhe kryeministri i parë izraelit të shkëmbejnë vizita, në vitin 2010, pas prishjes së Izraelit me Turqinë. Disa javë përpara se të zgjidhej kryeministër, Aleksis Cipras dënonte “aktet kriminale të Izraelit kundër Palestinës”. Nuk mund të jetë bindës as ministri i Mbrojtjes i Greqisë, i një shteti anëtar të NATO-s, i cili në 20 shkurt, gjatë vizitës në Izrael, sulmon publikisht me gjuhën e qeverisë ruse shtetin tjetër anëtar të NATO-s, Turqinë, merr anën e Moskës, dhe harron se në bazë të Traktatit themelues të NATO-s Greqia është e detyruar të luftojë në mbrojtje të Turqisë në rast se atë e sulmon Rusia. Ajo që shton më shumë mëdyshjet për krijimin e këtij blloku të ri gjeopolitik, është koha kur ai shpallet.

Është koha e një krize të rëndë në shkallëzim në Lindjen e Mesme, për shkak të ndërhyrjes direkte ushtarake të Rusisë në luftën civile në Siri në përkrahje të regjimit shtypës të Asadit. Është koha, kur Rusia për herë të parë në historinë e Lindjes së Mesme po u bën një sfidë të drejtpërdrejtë ushtarake Perëndimit, SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s. Është koha, kur përplasja midis Rusisë dhe Turqisë, anëtare e NATO-s, po ecën në një kurbë të rrezikshme për shkak të provokacioneve të qëllimshme ushtarake ruse ndaj Turqisë. Blloku i ri gjeopolitik shpallet në një kohë, kur Rusia ka vendosur patrullimet e përhershme të flotës së saj në ujërat mesdhetare dhe rreziku rus po bëhet eminent. Në kohën kur Turqia, një shtet anëtar i NATO-s, po mban barrën kryesore rajonale në përballimin e kërcënimit rus ndaj gjithë aleancës së NATO-s dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme, shfaqet një bllok gjeopolitik i ri, që devijon vëmendjen nga Rusia dhe konsideron objektiv gjeopolitik një shtet anëtar të NATO-s. Është një zhvillim, i cili i çon ujërat në favor të strategjisë së Rusisë për përçarjen e kampit të Perëndimit dhe për vënien e shteteve të kampit properëndimor kundër njëri-tjetrit. Ndaj, siç shkruante “Euroasia Daily Monitor”: “Rusia mbështet trekëndëshin Greqi- Qipro-Izrael”.

Nuk duket i rastësishëm as elementi i përbashkët i bllokut të ri gjeopolitik, ku të tria shtetet kanë marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë dhe qeveritë e të cilëve nuk e kanë dënuar asnjëra ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri. Në situatat e tanishme të rrezikshme, ku po lundron bota, që nga Ukraina e deri në Siri, mund të konkludohet se lëvizje të tilla si krijimi i një blloku të ri gjeopolitik në Mesdheun Lindor, shkojnë jo në drejtimin që kërkon stabiliteti dhe kohezioni perëndimor. Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira me të tria shtetet e këtij blloku, pavarësisht se të tria shtetet nuk e njohin Kosovën. Por, duke qenë shtet i Mesdheut dhe anëtare e NATO-s, me përgjegjësi dhe me detyrime që shkojnë përtej dimensionit tonë fizik, do të ishte e udhës të shprehej në kanale diplomatike mendimi shqiptar për këtë bllok gjeopolitik, që e komplikon situatën në Mesdhe, si për NATO-n, ku jemi anëtarë, ashtu dhe për BE-në, ku duam të jemi anëtarë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: