NGA: AURORA GOLEMI*
TIRANE- Aleanca Kundër Importit të Plehrave i kërkon Parlamentit të ndërpresë me urgjencë diskutimet mbi projektligjin e propozuar për importin e mbetjeve urbane në Shqipëri. Gjithashtu aleanca kërkon që parlamenti ta heqë projektligjin nga rendi i ditës për votim ne datë 21 korrik, datë kjo që sipas përfaqësuesit Aleancës, ambientalistit Lavdosh Feruni është caktuar qëllimisht të kalojë pa zhurmë, pasi po atë ditë diskutohet edhe reforma në Drejtësi. Me arsyetimin se populli i ka thënë ‘JO’! Importit te plehrave, AKIP paralajmëron referendum dhe protesta popullore
“Propozimi aktual nuk ndryshon aspak nga propozimet e të shkuarës dhe rrezikon ta kthejë Shqipërinë një kosh plehrash të Europës. Shqiptarët kanë firmosur se nuk duan të shkojnë në Europë nëpërmjet përpunimit të plehrave të Europës”, tha Lavdosh Feruni.

Për sa më sipër, Aleanca Kundër Importit të Plehrave, kërkon: “Kuvendi i Shqipërisë të ndërpresë menjëherë diskutimet për projektligjin e propozuar dhe ta heq atë nga rendi i ditës për votim më dt 21 korrik 2016. AKIP bën gjithashtu të ditur se në rast se Kuvendi i Shqipërisë guxon të vazhdoj me procedurat për miratimin e të miratojë në mënyrë tinzare lejimin e importit të plehrave, veç rinisjes se protestave popullore do të kërkojë riaktivizimin e procedurave për ndalimin e importit të plehrave me referendum”.

Projektligji për importin e mbetjeve i cili është hartuar nga Ministria e Mjedisit ne bashkëpunim me Shoqatën e Ricikluesve, është firmosur nga deputetët e PS-së, Eduart Shalsi e Ervin Bushati dhe deputeti i LSI-së, Bujar Derveni. Ironik i duket ky fakt Aleancës Kundër Importit të Plehrave, pasi tre deputetët propozues të këtij projektligji ishin dhe mbështetës të lëvizjes qytetare në vitin 2013, për të ndaluar importin e plehrave. Në një relacion që shoqëron projektligjin në fjalë, argumentohet se vendi ynë sot ka Inspektoriatin e mjedisit, i cili mjafton për t’u siguruar se nuk do të ketë import të paligjshëm. Propozimi parashikon që në Shqipëri të importohen vetëm mbetje urbane e inerte jo të rrezikshme, duke lënë në fuqi ndalimin për importin e lëndëve kimike dhe llojeve të tjera. Ne relacionin e atyre që mbrojnë projektligjin shkruhet gjithashtu se importi i mbetjeve nga jashtë do te rivitalizoje industria vendase të riciklimit te mbetjeve, do të rihapen dhjetra mijëra vende pune, do të rritet buxheti i shtetit si pasoje e detyrimeve doganore që do të paguajnë nëpër dogana importuesit e këtyre mbetjeve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: