LUSHNJE – Kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu i është bashkuar tregtarëve të qytetit të Lushnjes, në mbështetje të tyre kundër ligjit të ri dhe sistemit fiskal.

Në protestën e sotme, Spahiu u bëri thirrje të gjithë biznesmenëve të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që t’i bashkohet protestës së gjithë Shqipërisë në aksionin: “Mbyllni Qepenat”, ndaj një politike fiskale që sipas tij, synon të godasë ekonominë e gjithë Shqipërisë.

Spahiu tha se nëse goditet biznesi dhe tregtarët e zonës së Myzeqesë, sot, i merret fryma ekonomisë së gjithë Shqipërisë.

“Mbi 70% e eksporteve burojnë nga Lushnja dhe Myzeqeja, nëse taksat dhe kuponat tatimorë do të mbushin burgjet e Shqipërisë me këta biznesmenë dhe këta tregtarë, të cilët me gjak dhe me djersë po mbajnë bizneset dhe ekonominë e gjithë vendit, atëherë Shqipëria do të rrënohet. Qepenat e vendit tonë po mbyllen dhe shqiptarët po largohen nga atdheu i tyre. Prandaj sa të mos largohen 1 milion apo 2 milion shqiptarë, është mirë që në këtë fushatë mbarë kombëtare është që çdo kush të mbyllë qepenat; Lushnja, Fieri, Pogradeci, Tirana dhe gjithë Shqipëria të bashkohen në këtë sipërmarrje të madhe. T’i themi STOP dhunës e cila po mbush burgjet shqiptare me njerëz të cilët nuk kanë mundësi, kjo është e papranueshme që shteti t’i vendosë shkelmin në fyt tregtarit të Myzeqesë, fermerit dhe biznesmenit i cili me zi ka mundur të ngrejë ekonominë e Lushnjes dhe gjithë Shqipërisë. Mbyllni qepenat kudo që jeni…”,- deklaroi kreu i AK-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: