TIRANË

Eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe sigurisë Adrian Shtuni, në një lidhje ‘live’ me emisionin “Real Story” në News24 nga Uashingtoni shprehet gati i bindur se ka për të pasur hakmarrje nga Irani pas vrasjes së gjeneral Soleimanit, njeriu i dytë më i fuqishëm i këtij vendi.

Sa i përket nenit 5 të NATO-s që nëse një anëtar sulmohet është sulmuar aleanca, ai thotë se nuk mund të aplikohet nëse nuk ka indicie të prova të forta se një sulm është bërë nga Irani.

Shtuni deklaroi se aleancat kanë kosto dhe se shqiptarët nuk mund të mendojnë vetëm që kanë për të marrë benefite nga këto aleanca.

“Unë mendoj që aleancat kanë kosto. Nuk mundet shqiptarët të mendojnë vetëm se kanë për të marrë benefitet, ka edhe kosto. Bota nuk është lineare. Duhet të jemi më pragmatikë dhe të shikojmë se bota nuk funksion në mënyrë të tillë, se ka edhe gabime.
Sa i përket artikullit të 5 të NATO-s nëse një anëtar i NATO-s sulmohet është sulmuar e gjithë aleanca. Irani nuk ka kapacitet që të ndërmarrë ndonjë goditje konvencionale. Goditje konvencionale ndaj amerikës edhe ajo që ishte ishte telegrafike. Ishte reklamë. Çfarë mund të ndodhë sa i përket rrezikut? Se hakmarrje ka për të pasur, është e pamundur.
Hassan Nasrallah dihet se kush është dhe organizata e tij Hezbollah terroriste që ka për të vazhduar. Soleimani nuk ishte vetëm lideri i KUDS por njeriu i dytë më me pushtet në Iran. Do isha i habitur nëse nuk do kishte goditje hakmarrëse por do jetë asimetrike.
Irani funksionon nëpërmjet Proxy dhe milicive dhe ka celula që operojnë gjithandej dhe ka për të qenë e vështirë të aplikohet artikulli 5 vetëm nëse ka të dhëna të sakta që sulmi është bërë nga Irani”, deklaroi eksperti Shtuni.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb