Kreu i PD, Sali Berisha, zbuloi bisedën që ka bërë në takimin me Presidentin Ilir Meta, duke mos mohuar rikthimin e një aleance Berisha-Meta, pas 24 korrikut, kur Presidenti dorëzon detyrën.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha tha se ka diskutuar me Metën për problemet e vendit, duke shtuar se rikthimi i aleancës së tyre do të sjellë ndryshime si nata me ditën nga bashkimi i tyre në vitin 2009.

I pyetur nëse ka pasur komunikim me ish-kryedemokratin Lulzim Basha, pas dorëheqjes së tij, Berisha tha se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lloj kontakti me të.

Çfarë biseduat në darkë?
Me Metën kam diskutuar për problemet e vendit.

Ka rakordim mes jush dhe Ilir Metës?
Absolutisht, do të ketë një rakordim të plotë në frontin për shpëtimin e Shqipërisë, me Ilir Metën dhe me cilindo që do të bashkohet në këtë front.

Meta kryetar?
Ne kemi një sistem primaresh, nga të cilat unë nuk heq dorë. Kështu që vendosin primaret. Nuk kam dëgjuar. Primaret janë primare. Ka marrë fund koha që Sali Berisha mbështet këtë apo atë kandidat, pasi Sali Berisha do të mbështesë atë kandidat që fiton në primare. Me Metën nuk kemi diskutuar asgjë për aleancën.

Rikthim koalicioni Meta-Berisha, çfarë do të sjellë?
Ndryshimet janë si nata me ditën. Edhe me zotin Meta në qeveri, pushteti i asaj mazhorance ishte 47% përfshi LSI, edhe ajo qeverisje non-stop çoi drejt procesit evropian. Rezultati ishte që ai nxori kampin. Me Bashën në PD u krijua një situatë e pa qenë kurrë. Njerëzit u vunë para alternativës të vazhdonin të mbështesnin Lulzim Bashën, apo të mbronin të vërtetën dhe të drejtën, ligjin dhe statutin. Nëse i merr këta individ, që të gjithë para se të vendosnin ndryshimin, ishin në pozicione më shumë të përshtatshme, se atë që ofroi Foltorja.

Ata vendosën të bashkohen me Sali Berishën dhe nuk vendosën se kishin miqësira familjare, por vetëm për shkak të fibrës së tyre politike. Vendosën, sepse e panë se ajo që ndodhi nuk mund të pranohej qoftë dhe një ditë prej tyre. Është e vërtetë që këta njerëz janë ish-drejtues të PD, por në muajt kritikë për forcën politike ata dëshmuan veten. Ata tek unë nuk i solli ndonjë ofertë e imja, por idealet e mia. Unë e nisa krejtësisht i vetëm dhe i thashë vetes “Ec, me ty mund të bashkohen ata që i thonë dinjitetit, dinjitet”. Kaq. Asnjë prej tyre nuk ka pasur joshjen e presionin më të vogël.

Çfarë bën tani Basha?
Nuk e di, s’kam asnjë lidhje. Nuk kam asnjë lidhje apo kontakt me të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb