Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet kryesore evropiane, përfshirë Gjermaninë, kanë rënë dakord të heqin “bankat e zgjedhura ruse” nga sistemi i pagesave Swift, njoftuan vendet të shtunën.

“Ndërsa forcat ruse lëshojnë sulmin e tyre ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, ne jemi të vendosur të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto që do ta izolojnë më tej nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe nga ekonomitë tona. Ne do t’i zbatojmë këto masa brenda ditëve në vijim”, thuhet në një deklaratë nga drejtuesit e Komisionit Evropian, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe SHBA-së.

Swift është rrjeti kryesor i pagesave ndërkombëtare në botë. Disa vende kanë shprehur tashmë mbështetje për mbylljen e Rusisë nga platforma dhe Gjermania, e cila më parë e kishte kundërshtuar masën, mbështeti më herët sot .

Deklarata e përbashkët të shtunën e zyrtarizoi lëvizjen, megjithëse pak detaje u dhanë se kur do të bëhet heqja e Swift dhe cilat banka ruse do të jenë në shënjestër.

“Ne angazhohemi të sigurojmë që bankat e zgjedhura ruse të hiqen nga sistemi  SWIFT. Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar për të operuar në nivel global”, thanë vendet.

“Së dyti, ne angazhohemi të vendosim masa kufizuese që do të pengojnë Bankën Qendrore Ruse të vendosë rezervat e saj ndërkombëtare në mënyra që minojnë ndikimin e sanksioneve tona”.

Vendet thanë gjithashtu se do të merrnin masa “për të kufizuar shitjen e shtetësisë”,  të ashtuquajturat pasaporta të arta, që të lejojnë rusët e pasur të lidhur me qeverinë ruse të bëhen qytetarë të vendeve tona dhe të kenë akses në sistemet tona financiare”.

Ata njoftuan gjithashtu planet për të nisur një “task-forcë transatlantike” e cila do të sigurojë që sanksionet ndaj rusëve të mbeten efektive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb